Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka inauguruar Bibliotekën Manifesto, një hapësirë kushtuar librave të ndaluar dhe të censuruar, e cila do të jetë pjesë e përhershme e librarisë historike Livraria Lello në Porto të Portugalisë.
Projekti u prezantua në kuadër të festivalit ndërkombëtar të librit BABELL – City of Books dhe, sipas artistes, është rezultat i një misioni shumëvjeçar për të promovuar leximin dhe lirinë e shprehjes.
“Kur themelova Klubin e Librit Service95, synimi im ishte të krijoja një shtëpi për shkrimtarët dhe lexuesit, kudo që ndodhen. Leximi na afron, por fatkeqësisht jo të gjithë e shohin kështu”, tha Dua Lipa.
Biblioteka përmban rreth 100 libra, të organizuar sipas katër temave kryesore: pushteti, kontrolli, zëri dhe kujtesa. Në raftet e saj gjenden vepra të njohura si “The Handmaid’s Tale” e Margaret Atwood, “Felon” i Reginald Dwayne Betts, si dhe libra të autorëve Salman Rushdie dhe Olga Tokarczuk.
Sipas këngëtares, Biblioteka Manifesto është një vend që u kushtohet autorëve, veprat e të cilëve janë censuruar ose ndaluar, si dhe lexuesve që besojnë se askush nuk duhet të vendosë se cilët libra lejohen të lexohen.
Përveç angazhimit në muzikë, Dua Lipa vazhdon të promovojë letërsinë përmes Klubit të Librit Service95, ndërsa është përzgjedhur edhe si kuratore e Festivalit të Letërsisë në Londër 2026, që do të zhvillohet në Qendrën Southbank.