Dua Lipa i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta paralajmëruar lansimin e një projekti të ri në bashkëpunim me yjet latinë të muzikës, J Balvin dhe Bad Bunny.
Pop ylli me prejardhje nga Kosova, përmes një mesazhi të postuar e ka zbuluar emrin e këngës së ardhshme, që do të jetë “Un Dia (One Day)”, si dhe ka bërë të ditur se projekti do të lansohet të premten më 24 korrik, transmeton Koha.
Një sekuencë e shkurtër e këngës e shoqëronte videon e postuar nga Dua, ku u emëruan edhe disa bashkëpunëtorë të tjerë në realizimin e videoprojektit si 21-vjeçari nga Kolumbia, Stillz, i cili e ka bërë regjinë e klipit dhe “Neon16”, studioja incizuese e producentit dhe kantautorit nga Puerto Rico, Tainy.
Kënga “Un Dia (One Day)” do të jetë projekti më i ri muzikor i këngëtares Lipa, që vjen pas lansimit të albumit të saj të dytë muzikor, “Future Nostalgia”. Ndërsa, në fillim të këtij muaji, ajo e publikoi edhe videoklipin e ri të këngës “Hallucinate”, që është pjesë e këtij incizimi.
Në fillim të kësaj jave, Lipa u bë lajm në mediat dhe portalet botërore për postimin e një mesazhi, që bënte thirrje për të drejtat e popullit kosovarë dhe i cili zgjoi debate dhe reagime të ashpra nga Serbët.
Gjatë ditës së martë, këngëtarja me famë botërore e postoi një tjetër mesazh në rrjetet sociale përmes së cilit e shpjegoi qëllimin e mesazhit të saj paraprak, duke thënë se ajo kurrë nuk tenton të ndjellë urrejtje tek njerëzit.
“Thjeshtë më mërzit fakti që mesazhet e mia keqinterpretohen nga grupe njerëzish të cilët e promovojnë ndarjen etnike, diçka që unë e refuzoj kategorikisht dhe e urrej vërtetë. Sa herë që postoj diçka për Kosovën, llogaritë e mia në rrjetet sociale mbushen me mesazhe negative dhe rezistencë ndaj idesë së një kulture autentike kosovare. Madje edhe atëherë kur postoj diçka argëtuese si ushqimet apo muzika tradicionale e vendit tim. Ne të gjithë meritojmë të jemi krenarë për etninë dhe vendin prej nga e kemi prejardhjen. Unë, thjeshtë dua që vendi im të përfaqësohet në çdo hartë si dhe të kem mundësi të flas me krenari dhe gëzim për rrënjët e mia shqiptare. I inkurajoj të gjithë njerëzit që ta festojnë trashëgiminë dhe prejardhjen e tyre, dhe të dëgjojnë e mësojnë nga njëri-tjetri. Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë,” ka deklaruar tutje Dua Lipa.