Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka thënë se lëshimi i sallës së Kuvendit nga opozita, derisa kryeministri Kurti ishte duke mbajtur fjalimin për 14-vjetorin e pavarësisë, e zuri në befasi.
Ai thotë se një kundërshtim i tillë mund të pritej nga Lista Serbe që ka një mosdurim për shënimet e pavarësisë së Kosovës.
“Ishte një seancë solemne, e thirrur për të shënuar në mënyrë të duhur Ditën e Pavarësisë. Besoj që edhe për shumë deputetë të opozitës ka qenë befasi që të lëshohet salla në mënyrë demonstrative, për shkak se e kam parë nga reagimet e tyre që jo të gjithë e kanë mirëpritur këtë. Edhe në partitë opozitare do të ketë debat rreth kësaj. E kemi pritur që Lista Serbe nuk e pranon dot një fjalim apo shënim të Ditës së Pavarësisë, por në asnjë mënyrë s’kemi menduar që edhe opozita shqiptare e bën. Për mua si deputet ka qenë befasi”.
Dugolli mohon se largimi i opozitës u nxit nga ndonjë pjesë e fjalimit të Kurtit.
“S’është provokuar në asnjë mënyrë, sepse është realitet që tashmë kryeministër është Albin Kurti. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, ka qenë shenjë e keqe”.
Derisa për mospërmendjen e Hashim Thaçit, si kryeministër që lexoi shpalljen e pavarësisë, Dugolli tha se fjalimi i Kurtit përfshinte të gjithë ata që vunë themelin e pavarësisë.
“Bazamenti i Republikës së Kosovës është gjaku i dëshmorëve, sakrifica e Adem Jasharit, rezistenca e brezave të tërë. E gjithë kjo është përmendur”, njofton Klan Kosova.
Ndërkaq, përmendja e punës qeverisëse në Ditën e Pavarësisë, Dugolli tha se është dashur të ndodhte meqë “lufta për liri dhe pavarësi do të ishte e mangët pa të arritura”.