Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka folur rreth çështjes që ai po akuzohet për plagjiaturë për një punim shkencor në Universitetin e Prishtinës, të cilin e ka publikuar bashkë me tash deputetin e PDK-së, Ardian Kastrati.
Në bazë të atij punimi, Dugolli e Kastrati janë avancuar me pozitë në UP duke marrë titullin profesor, ndërsa Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) qe ajo që i akuzuar për plagjiaturë.
E, për akuzën e tij për plagjiat, Dugolli ka thënë se është politika ajo që lidhet me këtë rast, duke shtuar se fushata, sipas tij, që është bërë tash e një vjet, duket që është e motivuar politikisht.
Për këtë, Dugolli ka drejtuar gishtin drejt zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, ku tha se kreu i organizatës ORCA ka bërë fushatë për instalimin e tij në këtë ministri.
“Unë kam menduar se në fillim po merren me Kastratin për qasjen politike, por ky zotëriu sillet në politikë për t’i thith ato frytet në organizatën e vet”.
“Kur u përcaktua kabineti qeveritar dhe kur u caktua ministrja Nagavci, i njëjti bënte fushatë kundër ministres se është joprofesionale, jo e denjë e gjitha këto dhe e promovonte në shkallën më lartë zëvendësministrin Dukagjin Pupovci se qysh s’e ka bërë atë ministër dhe këtë fushatë e ka bërë derisa e instaloi atë në ministri si zëvendësministër”, është shprehur Dugolli në “Edicioni Special” në Klan Kosova
Madje, Dugolli thotë se zëvendësministri Pupovci është sponsor i organizatës ORCA me biznesin e tij, por siç tha ai, nuk ka informata për shumën.
“Unë kam qenë kritik në vazhdimësi edhe për të kaluarën e tij. Unë e thashë se ky e ka çështje personale me mua se 1 vjet fushatë s’mund të arsyetohet ndryshe vetëm për çështje personale. Lidhur me këtë unë s’i jap ngjyrë, kryeministrin e kam shok dhe nuk mendoj se ai përzihet në UP”, është shprehur Dugolli.
Për emërimin e Pupovcit si i dyti në ministrinë e Arsimit, Dugolli tha se ai s’është i duhuri për atë pozitë,.
“Sa i përket asaj, ai emërim nuk ka qenë i duhur. Sidomos që vjen nga sektori privat e futet në sektorin publik dhe merr një rol kryesor duke bërë kampanja të tilla, mendoj se është shumë e dëmshme për ministrinë e Arsimit”, është shprehur Dugolli