Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli, ka folur mbi situatën e krijuar në këtë komision gjatë raportimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla.
Dugolli tha se arroganca dhe tregimi i muskujve nuk i shkon kryetarit të Komisionit për Siguri, Bekë Berishës.
Ai, gjithashtu bëri të ditur se që nga arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në lidhje me targat, janë lëshuar mbi 17 mijë letra ngjitëse për mbulimin e simboleve shtetërore serbe.
“Vetëm deri sot mbi 17 mijë “stickers” janë lëshuar për mbulimin e simboleve shtetërore serbe. Të gjithë qytetarët që posedojnë makina me targa të lëshuara nga Serbia duhet të pajisen me stickersa, ndryshe do të gjobiten”, është shprehur Dugolli në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se Kosovav nuk është bërë hisedare me Serbinë në veri të vendit, por për herë të parë u soll si shtet sovran.
“Pra, ato që Serbia ua kërkon ngasësve të cilët kanë targa kosovare, ato po ua kërkojmë edhe ne atyre me targa serbe”, është shprehur Dugolli, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sa i përket një deklarate të kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës ku thoshte se “ne në veri duam që t’i marrim nën kontroll pikat 1 dhe 31, por jo me KFOR-in aty”, Dugolli tha se nuk është situatë e njëjtë, pasi që KFOR-i tashmë nuk është në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak.
“KFOR-i nuk është në pikat kufitare, atje janë policët dhe doganierët e Kosovës. KFOR-i është prezent në Prishtinë e Ferizaj, ne nuk jemi kundër KFOR-it. Në pikën kufitare janë policët dhe doganierët e Kosovës”