Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, ka shprehur mendimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një gabim të madh që ka vazhduar të ekzistojë që nga akti i themelimit.
Dugolli tha se krijimi i një Gjykate etnike ishte një gabim i madh dhe se qytetarët kanë të drejtë të shprehin solidaritet me luftën e drejtë të UÇK-së dhe të protestojnë.
Ai gjithashtu theksoi se e mbështet zërin e qytetarëve dhe të gjithë atyre që kërkojnë drejtësi dhe besojnë në luftën e UÇK-së, por shprehu pakënaqësi me ata që, sipas tij, dikur kanë folur kundër UÇK-së dhe tani dalin në mbrojtje të tyre.
“Qëndrimet e mia dihen, sa i takon kësaj Gjykate për mua ka qenë gabim që nga akti i themelimit e në vazhdimësi, por kur të gabosh në fillim atëherë gabimet përcillen në vazhdimësi, krijimi i një Gjykate një etnike është gabimi më i madh…është e drejtë e qytetarëve e të gjithëve që të shprehin solidarizim me luftën e drejtë të UÇK-së, është e drejtë e tyre edhe për të protestuar, krejtësisht në suazat e ligjit. Nuk e di a do të marr pjesë në protestë, faktikisht kur po shoh kush ka dal në mbrojtje e kush po del në mbrojtje më irritojnë aq shumë sa unë me i pa ata ballë për ballë më duhet t’ua them ju jeni që ia keni shtruar shtratin kësaj Gjykate, tash po dilni po i mbroni. Unë e përkrahi zërin e qytetarëve, zërin e gjithë atyre që kërkojnë drejtësi dhe besojnë në luftën e UÇK-së, por nuk pajtohem asnjëherë me ata që deri dje kanë folur zi e terr pikërisht për këta njerëz që janë atje e sot i dalin në mbrojtje kjo është pafytyrësi”, ka deklaruar Dugolli në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.