Ministria e Shëndetësisë (MSh) paralajmëron lokalet që lejojnë pirjen e duhanit brenda ambientit se gjobat do të ashpërsohen deri në 3 mijë euro.
MSh bën të ditur se nga fillimi i janarit deri më sot janë shqiptuar 1 mijë e 328 gjoba.
“Muajin e parë të vitit, gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisim bashkëpunim të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i MSh-së:
MOS PI DUHAN, MERRË FRYMË LIRSHËM
Po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës, ku nga janari deri me datë 14.03.2024 janë shqiptuar gjithsej 1328 gjoba.
Muajin e parë të vitit, gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisim bashkëpunim të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro.
Duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit në botë, duke përfshirë rreth 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë;
Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes;
Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë;
Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare.
Prandaj, mos pi duhan.
Jeto, merr frymë lirshëm!