Kishin ardhur për t’u gëzuar që janë shqiptarë dhe për t’i mësuar shqiptarët se si duhet Shqipëria.
Tymi i gëzimit e skuqte qiellin e buzëmbrëmjes.
Gëzimi ishte mashkullor, krejt meshkuj që silleshin sikur e kishin marrë lajmin se dikush ua ka sharë nanën dhe shpejt e shpejt
kishin ardhur qysh kanë qëlluar, për t’ia shqyer armikun gojën vesh më vesh…
dhe….Kumbonte kënga për Adem Jasharin.
Heroi tash i frymëzon shqiptarët të bëhen futbollistë.
A thua, ekziston dikush që do ta jepte jetën për Leposaviqin!
Për Zubinpotokun, vallë, pse asnjë poet kurrë nuk e shkroi një poezi.
Rrugëve të Tiranës kundërmonin plehërat.
Në kontenjerët e hapur avullonte oxhak ere e rëndë.
Luks i ndërtuar mbi gypat e ujit, kryeqyteti pa ujë të pijes.
Kur s’vjen era nevojtore, kalimtarëve u vjen era livandë e djegur me shkrepsë druri.
S’ka më zor se sa ta duash një shqiptar.
Por gëzimi shpërndahej…nëse s’dukeshe i lumtur – mund të dukeshe ose i çmendur ose tradhtar.
Nuk dëgjohej asgjë tjetër, përveç thirrja ‘është Kosova – është Shqipëria’.
Unë e dija se as s’është Kosova, as Shqipëria, por, më duhej të bëja sikur nuk e dija.
Unë e dija shumë mirë se në mes nesh as s’ka dashuri, as s’ka gjë të gjallë, por s’kisha si të mos i pranoja urimet e fitores: Urime golat, Kimete.
Pastaj, kur më mundi gëzimi i huazuar, s’më mbeti tjetër: iu afrova mikrofonit dhe këndova bashkë me këngëtaren dhe aktoren refrenin ‘siç e do shoqnia – flakë le t’kallét shpija’.
Shqiptarët janë bërë popull shetitës.
Kush nuk shëtit, rri ulur në park, e kush nuk rri ulur në park, rri në kafehane.
Kafehaneve, askund një vend lirë.
Buzë liqenit vraponin dhjetëra djemë me ‘prapa….’ sa sana.
Mendova: a thua a ka antropolog shqiptar, dhe nëse ka, pse s’ka treguar arsyen se pse shqiptarët e kanë fytyrën rrumbullake!
Doja që era e pishave, si fshesë e e vrazhdtë oborrit, të ma pastrojë trupin nga gëzimi i huaj dhe nga dashuria për atdhe.
Unë as që e dua më këtë atdhe, veç nëse ka dashuri që s’ndjehet….
ama nëse do t’më shihje ti mbrëmë duke festuar golat, do të bindeshe se veç çka s’jam flijuar për këtë vend.
Në një çast m’u kujtua ‘Beautiful mind’…a mund të ndodh ‘mo Zot, se po e shihja veç unë atë ”fantazmë’ që s’lëvizte vendit, si John Nash që e shihte vajzën e vogël e cila, vitet kalonin, por në mendjen e tij vajza mbetej njësoj e vogël, nuk rritej.
E pyeta bashkëudhëtaren:
Janë kryeministrat e dy shteteve, që fshatrat i kanë pa kanalizim. Ama, dijen e kanë.
Ata nuk e aktrojnë dashurinë për njerëzit, por garojnë se cili e do Shqipërinë (pa njerëz) më shumë.
Ashtu siç nuk e duam as ne njëri-tjetrit, as s’na merr malli njëri-tjetrit sytë mé ia pá – por s’tregojmë.
P.S. Shumë u gëzova kur u ndamë.