Na duhet një rregullativë e gjithëmbarshme e platformës. E sigurt është se do të ketë një matje forcash. Silicon Valley do të kundërshtojë. Por është koha e fundit të zgjohemi. Kthejeni shtetin…
Rrjeti social Facebook ka dhe një adresë postare në botën analoge. Mark Zuckerbergu dhe kolegët e tij kanë selinë në Menlo Park të Kalifornisë, në rrugën «Hacker Way». Në një letër dërguar aksionarëve të tij themeluesi kështu e ka përshkruar mënyrën se si punon: «The Hacker Way».
Pra, kështu e sheh veten ai, kështu dëshiron ta shohin të tjerët. Hakerët janë njerëz që në mënyrë kreative punojnë me teknologjinë, tejkalojnë pengesat e sigurisë, depërtojnë në zona të mbrojtura. Me gjasë Mark Zuckerbergu është hakeri më i madh i të gjitha kohërave. Ndërmarrja e tij e ka hakuar mbarë shoqërinë, i ka zhvendosur rregullat e saj themelore dhe pjesërisht i ka shfuqizuar ato.
Facebooku qëmoti është bërë akter politik. Manifestet e Zuckerbergut drejtuar 1,9 miliardë anëtarëve të rrjetit të tij kanë karakterin e deklaratave qeveritare. Dhe qëmoti, duke anashkaluar qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike, ai vë rregullat e tij. Standardet e komunitetit, të cilat ai i prezanton, janë kushtetuta e tij.
Deri më tani kjo për Zuckerbergun ka funksionuar shumë mirë. Pasojat negative të suksesit të tij ai thjesht i ka transferuar gjetiu. Përgjegjësi për përmbajtjet e makinës së tij globale të komunikimit? Punë e shfrytëzuesve. Jemi vetëm platformë neutrale teknike, thotë Facebooku. Mund edhe të thuhet: pushteti dhe fitimi po, përgjegjësia jo, faleminderit.
Shteti deri më tani po qëndron duarkryq. Kjo u bë e qartë edhe javën që shkoi, kur një refugjat sirian dështoi kundër Facebookut para gjyqit. Një selfie i tij i bërë me kancelaren gjermane u keqpërdor për të nxitur fushatë kundër refugjatëve, vetë ai u përshkrua si vrasës dhe terrorist. Ky njeri konsideronte se ishte viktimë shpifjesh. Gjykatësit thanë se ka të drejtë. Por nuk e pranuan kërkesën e tij që Facebooku vetë të fshijë shpifjet. Sipas ligjeve në fuqi Facebooku nuk mund të detyrohet që aktivisht të kërkojë shpifje dhe t’i fshijë ato, vendosi gjykata.
Ishte një fitore për Facebookun, ky rrjet edhe njëherë ia doli me interpretimin e tij. Por diçka ka lëvizur, këtë e tregon edhe ky rast. Procesi me gjasë i shkurtër zgjoi interesim të madh ndërkombëtar. Deri më tani është e përcaktuar që Facebooku duhet t’i shlyejë përmbajtjet e paligjshme, për të cilat informohet kjo platformë. Por as këtë nuk e zbaton shpejt dhe efikase. Këtë e tregon rasti i politikanes së gjelbër gjermane Renate Künast. Ndonëse ajo disa herë e njoftoi Facebookun për një njollosje që po i bëhej, kaluan disa ditë derisa u zhdukën shënimet. Ndëshkime? Asnjë. Facebooku arsyetohet se fare nuk është në gjendje të pengojë përhapjen e shpifjeve të tilla. Por pornografinë me fëmijë ky rrjet e filtron në mënyrë efikase.
Në mesazhet e tij drejtuar komunitetit të tij në rritje e sipër Zuckerbergut i pëlqen të flasë për misionin e tij që botën ta bëjë vend më të mirë përmes teknologjive. Në të vërtetë ndërmarrja e tij vepron si platformat e tjera para së gjithash sipas interesit të aksionarëve: aq sa mundet iu shmanget tatimeve dhe për selitë e saj kërkon vende me dispozita mundësisht të zbehta sa i përket mbrojtjes së të dhënave. Koston sociale të këtij biznesi tejet të suksesshëm Facebook me qejf ua lë të tjerëve. Por pjesë e lojës duhet të jenë dy: hakerët dhe ata që hakohen. Tepër gjatë politikanët dhe publiku kanë qëndruar indiferent. Kanë pranuar që Facebooku me «standardet» e veta të injorojë ligjet nacionale. Që të fshihen fotografi me vlerë historike si vajza që ikën nga bombat me napalm në Vietnam, ndërsa përmbajtjet naziste, të cilat janë të dënueshme në Gjermani, të mbesin online. Platformë neutrale? Vërtet?
Toleranca digjitale ka qenë një dorëzim i politikës, një kapitullim, një gabim. Ajo ia dorëzoi konsumatorët arbitraritetit të Facebookut, ku ekipe pa emër vendosin sipas rregullave jotransparente nëse një postim shkel kriteret e caktuara nga vetë këto ekipe.
Standarde tonat të përbashkëta duhet të jetë edhe më tutje shteti ligjor. Për këtë më në fund na duhet një politikë digjitale e mençur, parashikuese. Ajo duhet të mbyllë zbrazëtitë dhe të kujdeset që e drejta ekzistuese të zbatohet. Facebook duhet të obligohet të ketë persona të autorizuar në Gjermani. Duhet të ketë afate të qarta për fshirjen e postimeve dhe nëse nuk respektohen afatet, atëherë të pasojnë sanksione aq të ashpra, saqë të ndihen edhe në Hacker Way. Çfarë po ndërmerr vetë Facebooku nuk mjafton. Çfarë ka përpiluar ministria e Drejtësisë në Berlin mund të jetë vetëm fillimi. Na duhet një rregullativë e gjithmbarshme e platformës. E sigurt është se do të ketë një matje forcash. Silicon Valley do të kundërshtojë. Por është koha e fundit të zgjohemi. Kthejeni shtetin juridik! (Der Spigel)