Fashizmi nuk do të ishte mposhtur kurrë nëse gjermanët do të kishin këmbëngulur se vetëm Hitleri dhe xhelatët e tij ishin djallëzorë, por doktrina e tyre raciale ishte në rregull. Tani prej të gjithë myslimanëve kërkohet që të emancipohen nga mentaliteti autoritar i islamit.
Natyrisht shkaqet e islamizmit nuk janë vetëm fetare. Ama, kush dëshiron ta mposhtë teologjinë e dhunës që po lëshon rrënjë në mbarë botën, duhet të pranojë: ajo ka të bëjë me islamin.
A duhet pasur frikë nga islami? Po. Veçanërisht nëse jemi myslimanë. Sepse ne po përjetojmë një dimension të ri të xhihadit global, një shpërthim të forcave më radikale të islamit. Pa marrë parasysh nëse islamikët militantë e interpretojnë islamin si duhet apo e keqpërdorin për qëllime politike, rreziku që aktualisht buron nga islami nuk ndryshon.
Mjerimi politik në shtetet arabe dhe ekstremizmi në rritje po e bëjnë një fe minë me sahat. Për hir të së vërtetës, shumica e myslimanëve janë paqësorë. Por, një pakicë po e sheh dhunën si realizim të një premtimi të shenjtë.
Kur ushtarët e Shtetit Islamik marshuan në Irak, përkrahësit publikuan një hartë të botës të Kalifatit të ardhshëm: çdo territor, ku aktualisht jetojnë apo kanë jetuar më herët myslimanët, pritet të jetë pjesë e Shtetit Islamik brenda pesë vjetëve të ardhshëm – gjysma e Azisë, tri të katërtat e Afrikës, pjesë të Evropës Lindore dhe natyrisht, Andaluzia. E si do të arrihet kjo?
Një ushtar e shpjegoi: “Fitorja e islamit nuk do të arrihet pa u shqyer gjymtyrë dhe pa u bluar kafka”. Synohet që brutaliteti i shfrenuar të ndryshojë rrjedhën e historisë dhe të arrijë me forcë Perandorinë e Zotit. Kjo është absurde.
Dhe mund të themi si kundërshtim: një armatë me 30 mijë pjesëtarë nuk do ta realizojë këtë. Por, kujdes! Rreziku nuk vjen vetëm nga kjo trupë vrastare, por edhe nga një ide. Kalifati si hartë mentale është i gdhendur në kujtimin kolektiv të islamit: si kujtim për pushtetin e tij ushtarak dhe ekonomik midis shekullit VII dhe XI. Profeti Muhamed kishte vizatuar një hartë të njëjtë të botës.
Thuhet se ai i kishte dërguar letra Perandorit të Bizantit, Mbretit të Sasanidëve në Persi, Guvernatorit romak në Egjipt dhe Mbretit të krishterë të Abisinisë: “Pranoje islamin, atëherë je i sigurt!”. Pak pas vdekjes së Muhamedit shumë prej këtyre territoreve u gjenden nën sundimin osman. Është ëndrra e fuqisë absolute ajo që sot puqet me paralizën, siç e ndiejnë shumë myslimanë.
Kjo paralizë i shtyn mijëra të rinj nga Evropa të shkojnë në Siri dhe Irak. Pas dështimit të rebelimit arab me premtimet e tij për liri, tani po ngjallet zemërimi i shenjtë.
Arsyet e tij rrjedhin nga viti 1924, kur u shkatërrua Perandoria Osmane. Në atë kohë u krijuan dy lëvizje të pavarura nga njëra-tjetra, të cilat synonin të rikthejnë Kalifatin islamik: në Indi dijetari Abul Ala Maududi e ringjalli xhihadin. Ai synonte të thyente sundimin britanik dhe të krijonte Umma-në, bashkësinë e myslimanëve. Idetë e tij gjetën jehonë në Indi, në vonë në Pakistan dhe në Afganistan.
Ideologjia e talebanëve edhe sot bazohet në interpretimin e islamit nga Maududi. Gati njëkohësisht në qytetin provincial Ismailia pranë Kanalit të Suezit lindi Vëllazëria Myslimane. Mësuesi i arabishtes Hasan al-Bana përcaktoi qëllimet e Vëllazërisë Myslimane: shoqëritë myslimane duhet të pastrohen prej të gjitha elementëve jomyslimanë, kurse hapi i dytë duhet të jetë rithemelimi i Kalifatit. Sot Vëllazëria Myslimane është e pranishme në më shumë se 70 shtete.
Këto ide frymëzojnë shumë grupe militante, të cilat në rrjedhën e dekadave të fundit kanë kryer sulme terrori në botën arabe, në Azi, Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Globalizimi i ka afruar këto dy lëvizje. Në vitet ‘80 fëmijët dhe nipat e Al-Banas dhe të Maududit u takuan në Afganistan dhe luftuan kundër rusëve. Pas përfundimit të pushtimit sovjetik, islamikët nuk dorëzuan armët, por themeluan së bashku Al-Qaedan.
Kredoja e përbashkët e tyre është kjo: vullneti i Zotit duhet të ekzekutohet nga besimtarët. Kështu shkruan në Kur’an: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat” (sipas përkthimit të Kur’anit nga Hasan I. Nahi). Në përkthimet gjermanisht të Kur’anit kjo sure ku-ranore ka përmbajtje pak më të ndryshme: “Ju jeni bashkësia më e mirë që ndonjëherë ka dalë nga njeriu. Ju urdhëroni të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat”, (shënimi im).
Policia e sheriatit, e cila u shfaq në qytetin gjerman Wuppertal, e citon këtë sure të Kur’anit siç bëjnë edhe gardianët e moralit në Arabinë Saudite, në Iran, në Nigerinë Veriore apo në krahinën indoneziane Banda Aceh. Ata e shohin veten si ekzekutorë të ligjit të Allahut. Që ligji fetar është më i larti nuk e pranojnë vetëm islamikët, por edhe shumë myslimanë të devotshëm.
Edhe për këtë arsye Shteti Islamik arriti që me pak mijëra luftëtarë të pushtojë madje qytete me miliona banorë. Kur vjen në pushtet një lëvizje islamike, atëherë krijohet një diktaturë islamike si në Iran, në Afganistan dhe në Sudan. Kur pengohet të vijë në pushtet, atëherë shndërrohet në organizatë terrori si Anzar al-Din në Mali, Anzar al-Sharia në Libi apo Fronti i Shenjtë Islamik në Algjeri.
Edhe në islamin shiit ekziston ideja e Perandorisë së Zotit në tokë. Ajo ka qenë motori i Republikës Islamike në Iran, të cilën e themeloi Ajatollah Khomeini më 1979. Edhe milicët shiitë të Hezbollahut në Liban thirren në parimin e sundimit teologjik. Në të vërtetë në Libanin heterogjen në kuptimin fetar dhe etnik nuk ishte e mundur të themelohej një shtet teokratik. Për këtë arsye u zhvillua një formë e përzier e shtetit brenda shtetit dhe milicisë së terrorit. Pikërisht kjo lëvizje shiite ishte shembull për shumë organizata sunite të terrorit, sepse ajo kreu sulmet e para vetëvrasëse islamike dhe të “suksesshme” kundër objekteve perëndimore.
Më 23 tetor 1983, dy kamionë të ngarkuar me eksploziv u futën nga atentatorët vetëvrasës të Hezbollahut në bazën amerikane në Bejrut. 305 njerëz humbën jetën, mes tyre 241 ushtarë amerikanë dhe 58 pjesëtarë të trupave parashutiste franceze. Sulmi i frymëzoi islamikët në mbarë botën, sepse SHBA pastaj u tërhoq nga Libani. Kështu, Hezbollahu u bë i famshëm si “mposhtë-si i Amerikës”. Pak vjet më vonë në territoret e pushtuara palestineze u shfaq Hamasi.
Ai nuk përvetësoi vetëm ideologjinë e Hezbollahut, por edhe taktikën e tij: sulmet vetëvrasëse si mjet i politikës. Ky koncept u bë shkollë gjithkund në botën islame. Autobusët në Tel-Aviv, metroja në Londër, baret në Bali, ambasadat në Keni, një tempull hebraik në Tunizi, World Trade Center dhe Pentagoni në SHBA. Pastaj sulmet në Irak, në Afganistan, Pakistan, Marok dhe Egjipt, të cilat shkaktuan viktima të panumërta myslimane.
Marshimi i ushtarëve të Shtetit Islamik tregon një dimension të ri të xhihadit. Në paraqitjen e tij të vetme publike në Mosul, Kalifi i vetëquajtur Abu Bakr al-Bagdadi tha: “Unë nuk po ju premtoj çfarë sundimtarët e tjerë u kanë premtuar nënshtetasve të tyre: as nuk ju premtoj siguri, as ku premtoj mirëqenie. Jo, unë ju premtoj atë që Allahu u ka premtuar besimtarëve në Kur’an: që ai do t’i bëjë ata të dërguar të tij në tokë”.
Al-Bagdadi u bëri thirrje besimtarëve për luftë kundër të pafeve: “Shteti Islamik mund të ekzistojë vetëm nëse ekzekutohet ligji i Allahut. Për këtë na duhet pushteti dhe fuqia: një libër që na e tregon rrugën dhe një shpatë, e cila i ndihmon fesë për të triumfuar”. Shpata tani quhet Shtet Islamik, ndërsa libri ende quhet Kur’an. Një shikim në hartën reale të botës së sotme tregon se Shteti Islamik është vetëm një prej shumë grupeve islamike që mendojnë kështu. \
Si qëndrojnë gjërat në Azi? Ndaj globalizimit perëndimor kishte tri reagime të ndryshme. Aziatikët qenë kreativë. Arabët reaktivë. Afrikanët pasivë. Nga kreativiteti i Azisë fillimisht përfituan edhe vendet islamike si Malajzia dhe Indonezia, të cilat lejuan shekullarizimin dhe modernizimin edhe për shkak të shumëllojshmërisë së tyre etnike dhe fetare. Por ndikimi i këtyre periferive islamike ndaj qendrës arabe mbeti i dobët. Nga ana tjetër, këto vende importuan ideologjinë e xhihadit nga vendet e trazuara të Lindjes së Afërt.
Natyrisht islami keqpërdoret edhe nga bandat kriminale, për shembull nga padronët e luftës në Afganistan, të cilët jetojnë nga tregtia me drogë. Po xhihadi nuk duhet të jetë i devotshëm. Por mizoria e tij i përgjigjet zemërimit të shtresave të paprivilegjuara. Kjo shihet më së qarti në Afrikë. Është ajo pjesë e botës që nuk përfiton nga globalizimi. Kina dhe Perëndimi shfrytëzojnë resurset e kontinentit të zi, por i mbajnë të mbyllura tregjet e tyre për eksportet afrikane. Megjithatë, mungojnë protestat politike. Vetëm islami radikal e përvetëson zemërimin e heshtur të afrikanëve. Edhe këtu ëndrra e Kalifatit shërben si rrugëdalje nga realiteti i hidhur.
Shembulli më i keq është Boko Haram. Në fillim ky grup terrori u kufizua në sulme kundër stacioneve policore dhe ushtrisë. Por pas vrasjes së themeluesit Ustaz Mohammed Yusuf në vitin 2009 nga forcat e sigurisë, grupi nën drejtimin e Abubakar Shekau intensifikoi sulmet. Në vitin 2011 një atentator vetëvrasës e hodhi në ajër selinë e OKB-së në kryeqytetin nigerian Abuja. Numri i përgjithshëm i viktimave të Boko Haramit llogaritet të jetë rreth 10 mijë. Megjithatë, ekspertët perëndimorë të terrorit minimizuan rrezikun. Vetëm pasi Boko Haram kidnapoi 250 vajza të krishtera rreziku u mor parasysh edhe në Perëndim. I frymëzuar nga Shteti Islamik, Boko Haram ka shpallur tani një Kalifat të vetin në shtetin federal Borno. Tani milicët e kanë rrethuar qytetin me një milion banorë Maiduguri. Në Nigerinë Veriore përherë ka pasur islamikë, ata i kanë celulat e tyre gjithkund në vend.
Thuhet se i kanë 280 mijë anëtarë. Në aspektin global ky grup është i lidhur me milicët e Al-Shababit në Somali, me Ansar al-Din në Mali dhe me islamikët në Eritre dhe Kenia. Por tani duket se Shteti Islamik është më interesant për islamikët nigerianë sesa Al-Qaeda. Kështu po zgjerohet terrori në emër të Allahut: islamizmi militant i tejkalon të gjitha dallimet etnike dhe veçoritë kulturore. Botëkuptimet e tij gjithkund janë të ngjashme, metodat e tij janë barbare. Në të kaluarën secili grup xhihadist gatuante çorbën e vet, tani ato po afrohen dhe po garojnë me njëri-tjetrin.
Por Shteti Islamik është hyjnia e re. Pas sukseseve ushtarake dhe mediatike të Kalifatit grupet si Al-Qaeda gjenden nën presion për të vepruar. Islamikë në Algjeri dhe Pakistan po shkëputen nga Al-Qaeda dhe po e përqafojnë Shtetin Islamik. Al-Qaeda ka paralajmëruar themelimin e një grupi të ri në Indi. Kësaj lëvizjeje i duhet urgjentisht një 11 shtator i ri, në mënyrë që të mos bëhet plotësisht e parëndësishme.
A duhet të kemi frikë nga islami? Në armiqësinë mes grupeve islamike, të cilat i luten të njëjtit Zot, qëndron shansi që ato të mos shkaktojnë tmerr edhe më të madh me forcat e tyre të bashkuara. Por mungesa e unitetit përmban brenda vetes edhe rrezikun që luftimi i tyre të jetë gjithnjë e më i vështirë.
Deri më tani islamikët në të vërtetë nuk kanë arritur të ndërtojnë shtete të qëndrueshme, ata mbi rrënojat e shteteve të dështuara po ngrenë gjithnjë e më shumë enklava të sheriatit. Në shtetet që funksionojnë dosido islamikët po i përçajnë shoqëritë dhe po i paralizojnë institucionet. Kësaj i duhet shtuar demografia: 65 për qind e të gjithë myslimanëve janë nën moshën 30-vjeçare. Sidomos në mesin e të rinjve papunësia po rritet në mënyrë shpejtë.
Mllefi i tyre është benzinë në zjarrin e radikalizmit dhe nuk mund të parashikohet se ky potencial i gjeneratës së re do të pakësohet së shpejti, pasi problemet në botën islame po shtohen më shpejt sesa aftësia e tyre për t’i zgjidhur këto probleme. Pushteteve që po luhaten po u dalin në krah islamikët, duke ofruar shërbimet e tyre. Përkthimi i fjalëpërfjalshëm i fjalës arabe “islam” do të thotë gjunjëzim/nënshtrim. Shumë myslimanë besojnë se Zoti i mbikëqyr veprat dhe mendimet e tyre dhe dënon çdo gabim.
Në të vërtetë shumica e myslimanëve nuk i respektojnë këto rregulla. Por shumë prej tyre ndihen mëkatarë dhe frikësohen nga ndëshkimi i Zotit. Dëshira e tyre për t’u pastruar nga mëkatet i shtyn në varësi të brendshme. Një prej arritjeve më të mëdha të kohës moderne ka qenë çlirimi i njeriut nga përfytyrimi i Zotit ndëshkues. Iluminizmi na mundëson të distancohemi nga nënshtrimi. Ky është parakusht për mendim kritik dhe liri. Pikërisht këtë distancim e hedhin poshtë myslimanët konservatorë. Rrjedhimisht, kuptimi i jetës është ky: t’i shërbesh Zotit dhe ta duash vullnetin e tij. Kjo krijon maturi dhe pengon çdo përparim.
Bota duhet të ketë frikë nga islamizmi militant ashtu siç kishte nga fashizmi i shekullit ‘20. Por, jo frikë që paralizon. Fashizmi është mposhtur me luftë konsekuente. Ideologjia fashiste u desh së pari të përjetojë një disfatë asgjësuese ushtarake dhe morale, andaj rezistenca e tij nuk kishte kuptim.
Pastaj ishte i domosdoshëm një Plan Marshall për të mposhturit. Shumë shtete islamike kanë nevojë për këtë sot. Por, ato edhe vetë duhet të emancipohen nga teologjia e dhunës. Fashizmi nuk do të ishte mposhtur kurrë nëse gjermanët do të kishin këmbëngulur se vetëm Hitleri dhe xhelatët e tij ishin djallëzorë, por doktrina e tyre raciale ishte në rregull.
Tani prej të gjithë myslimanëve kërkohet që të emancipohen nga mentaliteti autoritar i islamit. Natyrisht shkaqet e islamizmit nuk janë vetëm fetare. Ama, kush dëshiron ta mposhtë teologjinë e dhunës që po lëshon rrënjë në mbarë botën, duhet të pranojë: ajo ka të bëjë me islamin.
Hamed Abdel-Samad është një politolog gjermano-egjiptian. Libri i tij i fundit titullohet “Fashizmi islamik”.