Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala ka nderuar me mirënjohje kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka për kontributin e dhënë për futbollin shqiptar.
Ministri Shala ka thënë se shpreson që Kosova do të ndjekë rrugën e Shqipërisë për fuqizimin e ekipit përfaqësues.
“Besoj që përparimi i shpejtë, i madh, që ka bërë Shqipëria është shembull për ne. Besoj që përmes bashkëpunimit do të mund t’ju përsërisim edhe ne juve”, ka thënë Shala.
“Ky është një hap i vogël i joni për punën që keni bërë ju në shërbim të Federatës Shqiptare të Futbollit, po ashtu të ndihmesës tuaj që ne të kemi një skuadër, keni punuar për ndërtimin e futbollit të Kosovës dhe si rezultat ka ardhur edhe anëtarësimi në FIFA”, ka thënë ministria Shala.
Presidenti i FShF-së, Duka ka thënë se pranimi i Kosovës në shtëpitë më të mëdha të futbollit ka qenë betejë e madhe edhe për Shqipërinë dhe për të po ashtu.
“Falënderoj shumë sinqerisht ministrin, si dhe mikun tim Fadilin, për vlerësimin e punës së Federatës Shqiptare të Futbollit nga të gjithë vëllezërit tanë në Kosovë”.
“Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA ka qenë betejë, të cilën e fituam të gjithë bashkë –. Dhe derisa puna na vlerësohet, jam shumë i lumtur”, ka thënë Duka.
“Puna për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA dhe UEFA ka qenë e vështirë, një betejë që e fituam duke qenë të gjithë bashkë – patjetër me kontributin më të madh të institucioneve të Kosovës. Ishte obligim i yni dhe ka qenë një nga ditët me emocionale për mua, ka qenë beteja më e rëndësishme në jetën time”, ka thënë Duka.
Ndërsa, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës e falënderoi Dukën për mbështetjen e dhënë nga ana e tij për Kosovën.
“Mendoj që të gjithë duhet të gëzohemi dhe të përshëndesim edhe punën që kemi bashkëpunime të shkëlqyera ne mes vete dhe ato të vazhdojnë dhe nuk kemi asnjë dilemë në atë drejtim”, ka thënë Vokrri.