Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i dha fund një fronti të luftës tregtare të epokës së Trumpit, kur u takua me udhëheqësit e BE-së të martën, duke arritur “armëpushim” për një mosmarrëveshje transaltantike rreth përkrahjes financiare për aeroplanët, e cila kishte nisur 17 vjet më parë.
Duke e cituar poetin e famshëm irlandez, William Butler Yeats, në fillim të samitit të tij të parë ShBA – BE si president, Bideni gjithashtu tha se bota është duke ndërruar dhe se demokracitë perëndimore duhet të bëhen bashkë.
“Bota ka ndryshuar, ka ndryshuar tërësisht”, tha presidenti amerikan me prejardhje irlandeze, duke e cituar poemën “Easter 1916”, në komentet që kishin të bënin me temat e udhëtimit të tij 8-ditor nëpër Evropë: rritja e Kinës, pandemia e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike, shkruan Reuters.
I ulur në një tavolinë të rrumbullakët në selinë qendrore të BE-së me zyrtarë amerikanë, ai u tha udhëheqësve të institucioneve të Bashkimit Evropian se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duke punuar së bashku janë përgjigjja më e mirë për t’u ballafaquar me këto ndryshime, të cilat, sipas tij, sjellin shqetësim të madh.
Ai tha më herët para gazetarëve se ka mendime shumë të ndryshme në krahasim me paraardhësin e tij. Edhe ish-presidenti Trump i kishte vizituar institucionet e BE-së, në maj të vitit 2017, por më vonë i kishte vendosur sanksione Bashkimit Evropian dhe e kishte promovuar largimin e Britanisë së Madhe nga ky bllok.
“Mendoj se kemi mundësi të mrekullueshme që të punojmë së bashku me BE-në dhe NATO-n dhe ndihemi goxha mirë për këtë. Është tërësisht në interesin e ShBA-së që të ketë raporte të mrekullueshme me NATO-n dhe BE-në. Unë kam pikëpamje shumë të ndryshme me paraardhësin tim”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.