Duke pritur Godonë e njohjeve të reja

| 08 Shk 2022 | 12:06 | Nga

Kanë kaluar më shumë se pesë muaj që kur ka skaduar afati për frenim për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe për të siguruar njohje të reja për Kosovën, sipas kufizimeve që i përmbante Marrëveshja e Uashingtonit.

Por, asnjë lëvizje në këtë drejtim. Qeveria dhe Presidenca vazhdojnë të jenë të strukur në gjumin polar. Përjashto ndonjë fotografi të çastit, sikurse ajo që ishte dje, sa për të krijuar përshtypjen se e kanë në agjende edhe politikën e jashtme.

Ndërkohë, deri para datës së 4 shtatorit të vitit të kaluar nuk kishin lënë rast pa e satanizuar këtë marrëveshje. Propagandonin se i kanë duart e lidhura nga obligimet e padrejta, antikushtetuese dhe antishtetërore që kishin marrë paraardhësit e tyre. Në mes rreshtave pohonin se po të mos ishte kjo marrëveshje, konsolidimi i ndërkombëtar i shtetësisë sonë do ishte punë e kryer me të marrë pushtetin ky tandem politik që triumfoi në ditën e të dashuruarave.

Se po sa të konsolidohej pushteti i ri, diplomacia ndërkombëtare do të ushtronte presion mbi Vuçiqin që ta pranojë me automatizëm Kosovën si shtet të pavarur. Sepse tashmë në Prishtinë ndodhet në krye të shtetit “Regjimi i ri”. Po ashtu Pekini dhe Moska nuk do ta përdornin pas këtyre ndryshimeve që kishin ndodhur në Kosovë të drejtën e vetos në Këshill të Sigurimit, sepse nuk kishin më arsye për një bllokadë të tillë. Dhe anëtarësimi në OKB do të ishte një punë e kryer.

Pra deri para datës 4 shator, kjo marrëveshje ishte shndërruar në tabelë shigjetuese. Ajo ishte djalli i madh. E keqja që duhej zhbërë. Dhe se rruga e shpëtimit tonë kalon nga anulimi i saj. Asnjëherë më shumë se në këtë rast propaganda nuk e kishte errësuar realitetin. Dhe nuk ishin shtrembëruar faktet për qëllime ditore politike. Të krijohej përshtypja se ai dokument ishte nënshkruar në Kremlin dhe jo në Uashington.

Vetëm përciptazi përmendej fakti se Marrëveshja e Uashingtonit ia siguroi Kosovës një njohje shumë të rëndësishme. Kuptohet me rekomandimin e Shtëpisë së Bardh. Por, anashkaloheshin kushtet që e detyruan Serbinë ta frenoi agresivitetin e saj diplomatik dhe fushatën për të siguruar çnjohje të reja kundër Kosovë. Sepse sa për aktivitetin diplomatik të institucioneve tona për t’iu kundërvënë kësaj fushate një Zot e di se deri ku do të kishte degjeneruar ky proces. Dhe më kryesorja që e pat obliguar Beogradin që “të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”

Pra nga ky formulim shihet qartë se saktësisht të kundërtën e asaj që e propagandonin kundërshtarët e kësaj marrëveshje e ka garantuar ajo. Se ai nënshkrim s’ka qenë fare arsyeja pse Kosova s’ka arritur të sigurojë njohje të reja. Për më tepër ajo e ka frenuar Serbinë që të mos e pengojë këtë proces. Në fund të fundit vetë fakti se Izraeli e njohu shtetin e Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe jo para këtij akti tregon qartë se sigurimi i njohjeve të reja nuk ka qenë i bllokuar për shkak të kësaj marrëveshje. Madje kohë më parë këtë fakt ia përmendi edhe ambasadori i Izraelit në Beograd, presidentit të Serbisë, kur i tha se ju keni nënshkruar një dokument që na obligon ta njohim Kosovën si shtet të pavarur.

Sidoqoftë, si çdo mjegullnaje që i vjen fundi edhe fushatës kundër kësaj marrëveshje i erdhi në mënyrë të palavdishme. Dhe ja ku jemi. Me pushtetin e ri pa asnjë sukses në sferën e politikës së jashtme, përpos rehatimit të disa militantëve partiakë në shërbimin diplomatik.

Ka kohë që shteti i Kosovës është në pritje të mrekullive ndërkombëtare që do të na ofrojë qeveria me presidencën. Siç thamë afati për përmbajte ka skaduar. Ku janë njohjet te reja?

Me këtë qasje siç po shihet ata kane vendosur ta teatralizojnë edhe këtë proces të konsolidimit të shtetësisë. Që ta inskenojnë në mënyrë masive shfaqjen “Duke pritur Godonë” pa pasur nevojë që të shkojmë në teatër.

Të ngjashme