Trafikimi me qenie njerëzore është një dukuri që po e sfidon Policinë e Kosovës dhe institucionet të tjera që e luftojnë këtë dukuri.
Vetëm gjatë këtij viti (2017) Policia e Kosovës ka iniciuar 41 raste për hetim, ku 22 prej tyre janë dorëzuar me kallëzim penal për veprat me trafikim dhe që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore e që në 8 prej tyre janë identifikuar 12 viktima të trafikimit.
Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Riza Murati, shef i sektorit qendror të hetimit të trafikimit me qenie njerëzore.
Trafikimi me qenie njerëzore është një problem global,e po ashtu edhe në Kosovë është i paraqitur qysh pas përfundimit të lutës.
“Ne vetëm në këtë vit kemi iniciuar 41 rate për hetim, ku 22 janë dorëzuar me kallëzim penal për veprat me trafikim dhe që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore, kurse 8 vepra kanë qenë me trafikim me qenje njerëzore dhe kemi identifikuar 12 viktima të trafikimit me qenie njerëzore”, tha ai.
“Ne si Polici e Kosovës dhe si Drejtori për Hetime për Trafikimin me Qenie Njerëzore jemi përgatitur si në aspektin profesional, po ashtu edhe në aspektin organizativ, por edhe në çështjet ligjore në luftimin e kësaj dukurie. Ne i hetojmë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore, por edhe të veprave penale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore, qoftë ato mundësi për prostitucion, ofrimin e lokaleve për prostitucion, krimin e organizuar, skllavërinë, kushtet e ngjashme me skllavërinë dhe veprën që është kundërvajtëse, që është marrja me prostitucion”, ka thënë Murati.
Kjo çështje shihet si një dukuri sfiduese për policinë pasi trendi i saj është duke qëndruar i njëjti nga viti në vit.
“Një trend i trafikimit në Kosovë e kemi që është kohëve të fundit është duke qëndruar i njëjtë nga viti në vit me një tendencë të vogël të rënies së kësaj dukurie, por të shtimit të veprave të tjera që ndërlidhen me trafikimit që janë, prostitucioni”, theksoi ai.
Ai ka treguar se numri më i madh i viktimave të trafikimit janë nga Kosova duke vrazhduar me shtetet fqinje, Shqipëria dhe Mali i Zi dhe Serbia.
“Qoftë edhe të dyshimtit, por edhe viktimat e trafikimit numri më i madh i tyre janë nga Kosova. Në të kaluarën kemi pasur raste kur viktimat kanë qenë nga vende të tjera, kohëve të fundit 80 për qind e viktimave janë nga Kosova dhe një pjesë e tyre vijnë nga Shqipëria, që është si vend i dytë, nga Mali i Zi dhe Serbia këto janë ato vendet nga vijnë viktimat kohëve të fundit, që ne i identifikojmë, gjithashtu edhe kryesit janë nga Kosova, por kemi edhe raste ku ne kemi arrestuar persona që kanë qenë nga Shqipëria. Po e potencoj edhe rastin e fundit që kemi pasur në Ferizaj, ku i dyshimti dhe viktima kanë qenë nga Shqipëria. Viktima është duke u trajtuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është në arrest”, tha Murati.
Sa i përket rasteve të trajtimit që i bëhet një viktime të trafikimit, ai ka thënë se infrastruktura ligjore është mjaft mirë e rregulluar.
“Ne kemi ndërtuar një infrastrukturë ligjore, por edhe akte të tjera nënligjore të cilat e rregullojnë procedurën se si duhet të trajtohet një viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore që nga faza fillestare e deri te ri-integrimi afatgjatë i tyre, të cilat parashohin strehimin dhe ofrimin e shërbimeve falas për viktimën e trafikimit. Në raste ku kemi të bëjmë me një shtetase të huaj, atëherë edhe e drejta e saj qoftë e leje-qëndrimit të përkohshëm, por qoftë edhe kthimin e saj të asistuar në vendin e origjinës prej nga ka ardhur”, ka thënë Murati në këtë intervistë.
Ai tha se ka raste kur qytetarët vetë raportojnë raste të trafikimit, por pjesa më e madhe e rasteve dalin nga hetimi proaktiv i Policisë së Kosovës.