Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka uruar të rinjtë e Kosovës, me rastin e muajit të rinisë, që fillon më 1 shtator.
Ajo në mesazhin e saj ka thënë se rinia e Kosovës ka qenë promotorë e ndryshimeve në çdo periudhë historike.
Mesazhi i plotë:
Të dashur të rinj të Kosovës,
1 shtatori shënon fillimin e muajit të rinisë. I gjithë shtatori i takon potencialit dhe energjisë që përçojnë të rinjtë e vendit tonë, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të popullatës.
Në çdo periudhë historike, rinia ishte promotore e ndryshimeve rrënjësore në Kosovë prandaj edhe sot angazhimi i tyre është parësor për zhvillimin e vendit.
Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej marrjes së mandatit i kam pasur të rinjtë e vendit prioritetin kyç të punës time. Jam shumë e lumtur, që përmes mekanizmave të MKRS-së kemi arritur të shpërndajmë grante për shumë të rinj, të përkrahim organizata rinore dhe të intensifikojmë punën për ligjin për fuqizimin e rinisë.
Përkushtimi im për fushën e rinisë do të jetë konsistent e i vazhdueshëm dhe ju siguroj pa dallim që do të jem derë e hapur e bashkëpunimit.Gëzuar Muajin e Rinisë! E gëzofshi rininë dhe jetën, me energjinë që ju karakterizon!