Punimet për ndërtimin e stadiumit të klubit futbollistik “Vëllaznimit” nga Gjakova po vazhdojnë me një intensitet të madh, raporton Ekonomia Online.
Për t’i parë këto punime, në vizitë shkoi ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila sipas zyrtarëve të klubit dhe atyre komunal është më meritorja për nisjen e këtyre punimeve.
Në takimin që ka pasur me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, Dumoshi i garantoi përfundimin e këtij projekti.
“Vërtetë vizita në Gjakovë pat një përmbajtje shumë interesante sepse investimi është duke u bërë i madh në stadiumin e Vëllaznimit një gjeneratë e tërë pothuajse 100 vjet ekziston klub”.
“Ne kemi filluar ta ndërtojmë këtë stadium dhe unë jam e kënaqur me dinamiken e punëve i paskan bërë dhe tash do të vazhdojmë më tutje, të hollat do të jenë në buxhet, kështu që këtë i garantoj kryetarit”, tha Dumoshi, teksa tha se ky stadium do të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s
Ndërsa i pari i Gjakovës, Ardian Gjini, pati fjalë të mëdha për Dumoshin. Ai tha se me insistimin e saj ka filluar ndërtimi i stadiumit, raporton EO.
“Sot e kam kënaqësinë ta pres në Gjakovë ministren Dumoshi, e cila është jashtëzakonisht meritore pse kemi arrit deri në këtë faze me ndërtimin e stadiumit të futbollit në Gjakovë”.
“Punimet janë duke vazhduar me një ritëm goxha të kënaqshëm dhe unë mendoj se Gjakova dhe kjo zonë e Dukagjinit e meriton një tempull të tillë të sportit. Nuk do të kishim mundur me filluar punimet nëse nuk do të kishit insistuar ju ministre”, tha Gjini.
Ky stadium do të ketë 12 900 ulëse dhe do të jetë super modern.