Durim Limaj, shefi i Kabinetit i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë bashkë me një delegacion nga Kosova po qëndron në Bosnje Hercegovinë, pas kërkesës së kësaj të fundit për largimin e taksës nga ana e Kosovës.
Limaj, në një videolidhje nga Sarajeva për “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini ka thënë se delegacioni kosovar u ka paraqitur arsyet palës boshnjake pse Kosova ka vendosur taksa ndaj produkteve të tyre.
“Ata kërkojnë mirëkuptim për situatën në të cilën ndodhët Bosnje Hercegovina, duke marrë parasysh ndasitë që ka ky shtet. Ne u thamë se mirëkuptimi ynë është harxhuar dhe më nuk mirëkuptojmë askënd”.
Bashkëkryesyesi i delegacionit kosovar për këtë takim, ka thënë se Kosova i ka paraqitur palës boshnjake kushtet që duhet plotësuar kjo e fundit për të hequr taksën.
“Pika e parë që duhet të ndodhë, është njohja nga Bosnja e pasaportave të Kosovës, njohja e targave, heqja e vizave dhe njohja e certifikatave të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Limaj ka thënë se në bazë të disa raporteve nga viti i kaluar, nga Bosnja në Kosovë kanë hyrë rreth 200 lloje të produkteve, ndërsa nga Kosova në Bosnje kanë hyrë vetëm 30 lloje të produkteve.
Ai ka thënë se pala boshnjake ka qenë e interesuar të dijë se cila mund të ishte mënyra më e shpejtë të hiqet kjo taksë, ndërsa Limaj thotë se u kë dhënë një “premtim” se taksa hiqet brenda orës nëse plotësojnë atë kusht.
“E kam potencuar se mundësia më e shpejt për të hequr taksën brenda orës do të ishte njohja e Republikës së Kosovës. Kjo do të ishte idealja, por duhet t’i mirëkuptojmë për këtë çështje për shkak të se situata politike atje është e koklavitur”, deklaroi ndër të tjera Durim Limaj.