Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi i ka reaguar Komunës së Prishtinës duke i thënë se segmenti rruga “Mon Balaj” në Kodrën e Trimave nuk është përgjegjësi e MMPHI-së për mirëmbajtje.
Ai shkruan se kompetenca e MMPHI-së përfshin segmentin rrugor nga Bernica në drejtim të Komunës së Podujevës, segment nga i cili edhe ka filluar realizimi i projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë.
Reagimi i plot:
Nuk është e vërtetë se segmenti i rrugës “Mon Balaj”, në Kodrën e Trimave, është në përgjegjësi të MMPHI-së për mirëmbajtje.
Të dashur qytetarë,
Siç e kemi theksuar edhe më parë, jemi të përgatitur dhe plotësisht të përgjegjshëm për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të Ministrisë gjatë sezonit dimëror. Mbrëmë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet tona janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë tonë, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt dhe të papenguar.
Sqarojmë se MMPHI nuk e ka në kompetencë mirëmbajtjen e segmentit të rrugës “Mon Balaj”. Ky segment është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila edhe ka ndërhyrë në këtë pjesë të rrugës duke vendosur pengesa.
Kompetenca e MMPHI-së përfshin segmentin rrugor nga Bernica në drejtim të Komunës së Podujevës, segment nga i cili edhe ka filluar realizimi i projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.