Durmishi: Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim

Prishtinë | 24 Nën 2025 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se aktualisht, transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese dhe se ky është një dështim i pastër menaxhues.

“Në bazë të ligjit për Transportin Rrugor, të gjitha komunat e edhe Komuna e Prishtinës, kanë pasur obligim ligjor të hartojnë dhe miratojnë rregulloret e reja të transportit në kuvendet komunale. Sot, mbi 90% e komunave e kanë përmbushur këtë detyrim. Por jo Komuna e Prishtinës. Aktualisht, transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese. Ky është një dështim i pastër menaxhues. Përveç kësaj, komuna ka obligim të hartojë Planin e Transportit, të bazuar në Planin e Mobilitetit, dhe ta dorëzojë në Ministri për miratim, në mënyrë që linjat urbane dhe urban-periferike të mos ndërhyjnë me linjat ndërurbane. Komuna e Prishtinës as këtë nuk e ka bërë. Përkundrazi, ka improvizuar linja të reja, të pambështetura në plan, të krijuara për efekte elektorale dhe të subvencionuara pa asnjë analizë profesionale”, ka shkruar Durmishi.

Durmishi ka theksuar se qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport por pothuajse në çdo fushë e për çka thotë se tash po tentojnë të lënë fajtore Qeverinë.

“Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim, ligjshmëri dhe procedurë. Tani, në prag zgjedhjesh, përpiqen t’ia lënë fajin Qeverisë për dështimet që i kanë shkaktuar vetë. Kjo nuk është qeverisje. Ky është abuzim me institucionin dhe me qytetarët e kryeqytetit”, shkruan Durmishi.

Të ngjashme