Zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi ka bërë një sqarim lidhur me kontatë e nënshkruar për “tiketat ngjitëse”, që sipas tij do të identifikojnë “konfirmimin e kontrollimit teknik” të automjeteve.
Poashtu Durmishi ka thënë se kjo gjë do të mundësoj plotësimin e kriterit kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbërt me të cilin përfitimet janë të shumta.
Postimi i tij i plotë:
Sqarim për opinionin publik në lidhje me marrëveshjen për “tiketa ngjitëse”
Kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj.
Si procedurë ka qenë përmes shprehjes së interesit ku kanë aplikuar disa kompani dhe në fund nga komisioni vlerësues është zgjedhur kompania e përgjegjshme fituese.
Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithëçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021.
Çka përfiton Kosova nga kjo marrëveshje?
Në Kosovë aktualisht janë 20% deri 30% të automjeteve të paregjistruara. Kriteri kryesor për aplikim për kartonin e gjelbërt është që ky numër të zbret nën 5%.
Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve e kanë vendosur një taksë prej 30 eurove në emër të mbulueshmërisë së dëmeve të shkaktuara nga aksidentet e makinave të paregjistruara.
Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë heqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotsojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbërt me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrollë teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente.
Të dashur qytetarë,
Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj por tani po e bëjmë këtë hap të domosdoshëm në mënyrë që shumë shpejtë të përfitojmë individualisht secili nga ne dhe kolektivisht si shtet.