Dy 15-vjeçarë vjedhin dru në pyll, bashkë me familjarët e tyre të rinj kërcënojnë Policët dhe arratisen

Prishtinë | 19 Kor 2022 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Në Kosovë janë shtuar rastet e vjedhjeve si nëpër shtëpi ashtu edhe në biznese të ndryshme. Por dukuri shqetësuese mbetet edhe vjedhja e drunjëve në pyje.

Dy 15-vjeçarë, u kapën tri ditë më parë duke e kryer një vepër të tillë që sanksionohet me ligj.

Rasti ndodhi pasditen e së premtes në fshatin Rimanishtë të Prishtinës.

Zyrtarët Policorë, kanë ndaluar rreth orës 17:00 një traktor në të cili ishin tri metër drunjë. Por ky nuk ishte problemi i vetëm për organet e rendit.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se derisa po pritej kompania për konfiskimin e drunjëve të vjedhur në pronë shtetërore, në ndihmë dy 15-vjeçarëve u kanë dalë edhe disa familjarë 17-vjeçarë të cilët kanë kanë kërcënuar zyrtarët Policorë.

Ata kanë arritur të marrin traktorin bashkë me drutë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Megjithatë, të hënën katër të dyshuarit janë ftuar në Polici ku sipas burimeve janë intervistuar, e janë dërguar në mbajtje për 24 orë dhe ngarkohen me veprat “Pengim i personit zyrtar” dhe “Vjedhja e Pyllit”

Të ngjashme