Më 1 tetor bëhen dy dekada nga demonstrata masive e studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër regjimit okupues të Sllobodan Millosheviqit.
Ishte tetori i vitit 1997, kur studentët në krye me rektorin e atëhershëm Ejup Statovci u përballën me policinë serbe në rrugët e Prishtinës.
Ish-lideri i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, në 20-vjetorin e demonstratës së 1 tetorit 1997, ka thënë se kjo ngjarje duhet të zë vend meritor në historinë shqiptare.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se Lëvizja Studentore ka pasur rol historik në zhvillimet e përgjithshme në pavarësimin e Kosovës.
Dugolli shprehet se deri më tani shteti nuk e ka trajtuar si duhet këtë ngjarje, por shton se kur do të ketë më shumë argumente historike, institucionet do t’i japin rëndësi më të madhe Lëvizjes Studentore dhe protestës së ’97-së e cila për të shënon fillimin e fundit të Serbisë në Kosovë dhe fillimin e çlirimit të Kosovës nga okupimi.