Dramat e Jeton Nezirajt, ani pse kanë tema politike, tashmë kanë depërtuar te një publik i gjerë edhe në Turqi. Kësisoj me gjithë reagimet dhe censurën që kishte pasur vite më parë një prej dramave të tij.
Deri më tani në turqisht Nezirajt i janë përkthyer e botuar 10 drama, e gati po aq janë inskenuar në teatro të ndryshme të Stambollit. Tash dy prej tyre, “Liza po fle” dhe “Peer Gynti nga Kosova” inskenohen në teatrot turke, shkruan sot Koha Ditore.
Me datën 26 dhe 27 do të jepen premierat e tyre, njëra për teatrin “Dina Tyiatro” dhe tjetra në Teatrin Shtetëror në Stamboll, i cili ka sallën me kapacitet prej 400 vendesh. Biletat për pesë shfaqjet e para të planifikuara për ditët e fundit të dhjetorit, tashmë janë shitur. “Peer Gynti nga Kosova” vjen në regji të Seydam Yeniay, ndërsa “Liza po fle” që në turqisht titulli i është përshtatur në “T’rrëfyerit”, në kuptimin e rrëfimit në kishë – do të shfaqet në “Dina Tyiatro” nën regji të Ilhami Ozdemir.
Kjo dramë një aktëshe, më 2007 u inskenua në Teatrin Kombëtar të Kosovës në 2007. Ndërsa me “Peer Gynti nga Kosova” është dhënë premierë në vitin 2014, derisa sjell rrëfim për një ëndërrimtar të dështuar, i udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë. Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në “parajsën” e quajtur Evropë.