Dy emisarët specialë takojnë Vuçiqin, Lajçak: Patëm takim konstruktiv për dialogun

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron për vizitë në Serbi ku ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak pas takimit tha se biseda me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për vazhdimin e dialogut ishte konstruktive dhe kuptimplotë.

“Sapo kam përfunduar një diskutim konstruktiv dhe kuptimplotë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd për progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, i cili po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Vuçiq të mërkurën në mbrëmje është takuar edhe me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit Gabriel Escobar dhe më pas është mbajtur një takim trepalësh.

Escobar dhe Lajçak qëndruan për vizitë dy ditore edhe në Kosovë ku patën takime me krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës.

Në një konferencë të përbashkët për media gjatë ditës së djeshme, Escobar dhe Lajçak theksuan nevojën për një dinamikë më të madhe në dialogun Kosovë-Serbi gjatë këtij viti.

Të ngjashme