Në prag të zgjedhjeve presidenciale atje, dy kandidatë edhe publikisht po paralajmërojnë tërheqjen e njohjes për Kosovën.
Njëri nga ta është edhe kandidati i opozitës, Marko Milaçiq.
Ky i fundit gjatë një tubimi në Berane ka deklaruar se tërheqja e njohjes për Kosovën, do të jetë një nga vendimet e para, transmeton lajmi.net.
“Qeveria malazeze manipuloi me popullin e vet në lidhje me Kosovën. Do të insistojë në anulimin e vendimit të njohjes së këtij shteti”, ka thënë Milaçiq.
Ky i fundit është i njohur për qëndrimet pro-ruse dhe pro-serbe.
Më i ashpër në qëndrimet ndaj Kosovës është kandidati për president nga radhët e koalicionit serb, Dobrilo Dedeic.
Ai ka deklaruar se ndër vendimet e tij të para nëse bëhet president do të jetë tërheqja e ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë.
Madje kritikoi qëndrimet e Gjukanoviqit se njohja e Kosovës nuk mund të tërhiqet.
“Pretendimet e regjimit të Gjukanoviqit se njohja nuk mund të tërhiqet, janë të pavërteta. Ish-Republika jugosllave njohu pavarësinë e Saharasë Perëndimore në vitin 1984, por pastaj pas ndarjes më 2004 ky vendim u tërhoq”, tha Dedeic.
Ai nuk heziton ta quajë Kosovën si krahinë të Serbisë, dhe që pavarësinë e ka shpallur në mënyrë të njëanshme.
Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi mbahen më 15 prill. Favorit për të fituar është kandidati Milo Gjukanoviq.