Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë për “Zërin” se taksa prej 100% e vendosur ndaj mallrave serbe duhet të hiqet dhe dialogu mes palëve të vazhdojë.
Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar ndonjë datë për takimin e radhës së liderëve të Prishtinës dhe të Beogradit, por para se të ndodhë një takim i tillë kërkon heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Takimi i fundit i zhvilluar në Bruksel mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq ishte më 8 nëntor 2018.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë datë për takimin e ardhshëm ka thënë për “Zërin” se dialogu do të vazhdojë. “Puna jonë po vazhdon, siç është diskutuar në rundin e fundit të dialogut. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm për të vlerësuar vazhdimin e takimit të fundit”, ka thënë ajo.
Kocijançiq ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë vendimin për taksën ndaj produkteve serbe, pasi masat e marra nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. “Qeveria e Kosovës duhet t’i revokojë këto vendime. Veprimet, masat dhe deklaratat që perceptohen si provokuese dhe fyese janë thellësisht shqetësuese dhe nuk ndihmojnë në dialogun dhe në normalizimin e marrëdhënieve.
Ankesat duhet të adresohen përmes dialogut për të cilin Bashkimi Evropian është i përkushtuar të vazhdojë ta lehtësojë. Propozimi është në tryezë, është në dorën e palëve për të diskutuar dhe për ta marrë atë përpara. Ne jemi të gatshëm t’ju mbështesim për të gjetur një zgjidhje”, ka shtuar ajo.