Mungesa e reagimeve institucionale nga ana e shtetit të Kosovës ka bërë që çështja e kthimit të pensioneve nga ana e Serbisë për rreth 60 mijë pensionistë kosovarë të konsiderohet e mbyllur.
Opinionet e vazhdueshme që ka dërguar shteti i Serbisë për zbatimin, sipas tyre, të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), i njohur si rasti Grudiç, i cili obligonte Serbinë që të paguante pensionet e ndalura në vitin 1999 për të gjithë pensionistët, si dhe mungesa e një opinioni të vetëm të dërguar nga shteti i Kosovës, kanë bërë që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, që është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së ta mbyllë këtë çështje në dhjetor të vitit 2017. Vlera e kontributeve që Serbia obligohej t’ua kthente pensionistëve është afro 2 miliardë euro.
I vetmi opinion që ishte dërguar në këtë komitet nga Kosova, ka qenë ai i Institucionit të Avokatit të Popullit, në vitin 2016, i cili, sipas Avokatit Hilmi Jashari, ndonëse ka sqaruar shumë mirë problemin, nuk është marrë parasysh, pasi që po ai është dërguar kur procesi ka qenë në hapin e fundit, shkruan sot Koha Ditore.
As Qeveria, e as Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë kthyer përgjigje, lidhur me atë se cilat kanë qenë veprimet që kanë ndërmarrë në të kaluarën lidhur me pensionet e ndalura nga Serbia, si dhe mosekzekutimin e vendimit të Gjykatës në rastin Grudiç nga ana e Serbisë, si dhe pse nuk e kanë dërguar asnjë opinion në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, lidhur me këtë rast, ashtu siç ka vepruar Serbia, apo nëse konsiderojnë se ka ndonjë formë që pensionet e kosovarëve të ndalura nga Serbia të paguhen ndonjëherë.
Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut të datës 17 prill 2012 u ishte dhënë e drejta për kthim të pensioneve të ndërprera në vitin 1999 dy pensionistëve nga Mitrovica me mbiemrin Grudiç, të cilët për t’u ankuar në Strasburg ishin shpërngulur në Novi-Pazar, pasi që kjo Gjykatë nuk shqyrton ankesat e banorëve të shteteve që nuk janë anëtare të Këshillit të Evropës. Me këtë aktgjykim, sipas opinionit të Avokatit të Popullit, u është njohur e drejta edhe të gjithë paditësve potencialë, për marrjen e mjeteve nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor (SPDIF).