Dy persona ndalohen për ryshfet gjatë votimit në Fushë Kosovë, menaxherja: Policia reagoi menjëherë, rasti është nën hetim

Prishtinë | 09 Nën 2025 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Në qendrën e votimit në shkollën “Daut Bogujevci” në Bresje të Fushë Kosovës janë shënuar dy incidente gjatë procesit të votimit, për të cilat menjëherë është njoftuar policia dhe prokuroria, raporton Ekonomia Online.

 Lajmin e ka konfirmuar menaxherja e kësaj qendre, Shkurta Bogujevci, e cila tha se rastet janë trajtuar me kohë dhe personat e përfshirë janë dërguar në stacionin policor.

“Gjatë gjithë ditës nuk ka pasur probleme përveç atyre dy incidenteve që kanë ndodhur, janë vërejtur nga kryesuesit e qendrave të votimit, janë lajmëruar menjëherë te menaxheri edhe është lajmëruar policia. Policia ka marrë hapat e duhur, është thirrur prokurori, ka ardhur komandanti dhe janë dërguar në stacion policor,” tha ajo.

Duke folur për pjesëmarrjen në votime, Bogujevci u shpreh se deri në mesditë dalja e qytetarëve ka qenë e ulët.

“Krahasim me numrin që kanë të drejtë vote është 4784, deri në ora 13:00 vetëm 561 votues kanë dalur, nuk është shumë i kënaqshëm,” tha ajo.

Për incidentin ka reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila konfirmoi ndalimin e dy personave nën dyshimin për veprën penale “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, sipas nenit 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore. Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të ngjashme