Në një objekt banesor në Fushë Kosovë mbrëmë ka shpërthyer zjarri, për shkak të djegies së njehsorëve elektrik. E për t’iu dalë në ndihmë banorëve aty menjëherë ka shkuar një ekip i Policisë së Kosovës.
Në grupin Network Prishtina, një qytetare ka publikuar një foto ku shihen dy policët që iu kanë dal në ndihmë qytetarve aty.
“Këta dy policë kanë rrezikuar jetën vetëm për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në zjarin që ka ndodhur mbrëmë në një ndërtesë në Fushë Kosovës”, ka qenë mbishkrimi i kësaj fotografie.
Detaje për këtë rast ka dhënë edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh. Policia ka bërë me dije se dy zyrtarët policorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore më pas.
“Rr. Hajrullah Zymi, Fushë Kosovë 17.03.2021-21:45. Njësitet policore pasi kanë pranuar informatën për një incident zjarri kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë vërejtur se, një kompleks banesor është përfshirë në tym, për shkak të djegies së njehsorëve elektrik. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe njësitet e KEDS-it, të cilët kanë kryer veprimet e nevojshme. Si pasojë e zjarrit dhe tymit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar dy zyrtarë policor dhe disa qytetarë, dhe sipas mjekëve gjendje e tyre është stabile. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa për shkaqet e zjarrit pritet që në vendin e ngjarjes të dalë edhe eksperti i zjarrit”, thuhet në raport