Dy prej të plagosurve në Pejë janë futur mbrëmë në operim, ngjarja dyshohet se ndodhi për shit-blerjen e një veture
Tre të plagosurit në Pejë mbëmë kanë mbërritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Njëri nga të plagosur është në gjendje të rëndë ku menjëherë është futur në sallë të operimit.
Lajmin e ka konfirmuar mjeku kujdestar, Ejup Govori, i cili tha se pacienti që është futur në operim është i vitit të lindjes 1973.
“I kemi pranuar tre pacientë me plagë nga arma e zjarrit. Njëri nga ta, në gjendje më të rëndë është futur në sallë të operimit, kurse edhe një tjetër pritet tash të hyjë. Kurse, në gjendje më të lehtë është një tjetër, por edhe ai ka plagë serioze”, tha Govori
Ngjarja, sipas burimeve të Klan Kosovës raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për shit-blerjen e një veture.
Ersan Qavolli, prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Pejës, tha për Gazetën Express se tre personat që u plagosën sonte në Pejë janë familjarë të afërt mes vete.
Personi i dyshuar për këtë ngjarje “ndodhet në kërkim intensiv”, tha prokurori Qavolli.
“Ka ndodh një tentim vrasje e rëndë, kemi dalë menjëherë ne vendin e ngjarjes bashkë me hetuesit, janë tre persona të plagosur dhe jemi në kërkim të personit të dyshuar”, tha prokurori Qavolli.
Ai tha se policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke i siguruar të gjitha provat.