Dy shqiptarë të Ukrainës bien dëshmorë në luftë, varrosen me flamurin kombëtar

Prishtinë | 23 Tet 2023 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Dy ushtarë ukrainas, me prejardhje shqiptare, janë vrarë në luftë ndaj Rusisë.

Lajmin e ka dhënë Pandeli Majko, ministër për Diasporën në Qeverinë e Shqipërisë.

Majko ka thënë se konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin ia ka kumtuar sot lajmin e hidhur.

Dy shtetasit ukrainas, me origjinë shqiptare, të cilët vdiqën në luftë janë: Dermentli Anatoly nga fshati Karakurt i rajonit të Odesës dhe Haydarzhy Danylo nga fshati Georgivka i rajonit të Zaporozhias.

Postimi i plotë i Pandeli Majkos:

“Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur.

Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga rradhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj. Ata ishin:

Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi.

Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias). Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.

Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonistë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre.

Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre”.

Të ngjashme