Në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, të shtunën u organizua turneu për Ditën e Çlirimit të Prishtinës “Prishtina Open 2023” për kategoritë U19 meshkuj e femra si dhe për veteranë mbi 50-vjeçarë.
Pjesëmarrja ishte mjaft e madhe me përfaqësues nga shtete si Greqia, Gjermania, Mali i Zi, Maqedonia, Polonia dhe Shqipëria.
Garat u organizuan në grupe me nga 3 e 4 lojtarë sipas sistemit secili me secilin, e pastaj 2 të parët e grupit kaluan në skeletin kryesor ku garat u organizuan me sistem eliminimi.
Kishte shumë ndeshje të forta në të gjitha kategoritë e po ashtu edhe shumë befasi, por mbi të gjitha sportivitet e ponë atraktive
Në kategorinë mbi 50 në gjysmëfinalen e parë u takuan Ertan Huner vs Dimitrije Zogovski e cila ishte mjaft e baraspeshuar, por në fund triumfoi Ertan Huner me 3:0. Në gjysmë finalen tjetër u takuan Besart Domaniku vs Eroll Boshnjaku, Erolli në tetën e finales kishte triumfuar ndaj polakut favorit bëri mjaft rezistencë, por Besarti ishte shumë i disponuar për lojë e triumfoi me 3:1.
Finalja ishte shumë e mirë, por Besarti triumfoi me 3:0 ndaj Ertan Huner për t’u shpallur kampion i këtij turneu. Për vendin e tretë Dimitrije Zogovski triumfoi ndaj Eroll Boshnjakut me rezultat të ngushtë 3:2.
Në kategorinë U19 të femrave po ashtu pat shumë ndeshje të mirë. Vlen të përmendet paraqitja e mirë 9-vjeçares Christina Heim nga Gjermania e cila arriti deri në të tetën e finales e u ndal nga maqedonasja Sara Stojanovska me rezultat të ngushtë 3:2.
Në gjysmëfinalen e parë Lene Osmani u takua me Taibe Rulin ndaj të cilës fitoi me 3:1, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër Samanta Agolli nga Shqipëria fitoi bindshëm nga maqedonases Sara Stojanovska me rezultat 3:0
Në finale Lene Osmani, e cila është duke treguar formë të mirë, triumfoi me rezultat 3:0 ndaj kampiones nga Shqipëria për t’u shpallur kampione. Ndërsa për vendin e tretë u zhvillua luftë e baraspeshuar ndërmjet Taiber Rulit dhe Sara Stojanovska, të cilën në fund e fitoi maqedonasja me 3:2.
Në kategorinë U19 të meshkujve kishte numër më të madh të të paraqiturve e po ashtu edhe ndeshje mjaft të forta. Në gjysmëfinalen e parë, polaku Miłosz Sawczak fitoi ndaj Aron Koni të Shqipërisë me 3:0; e në gjysmëfinalen tjetër Blendi Hajdari fitoi me 3:1 ndaj Arti Karabaxhakut.
Në finale polaku Miłosz Sawczak fitoi me 3:1 ndaj Blendi Hajdarit. Blendi filloi furishëm dhe mori setin e parë, e ishte duke fituar edhe setin e dytë, por fati nuk ishte në favor të tij, duke humbur setin e dytë e pastaj edhe dy setët e tjerë. Për pozitën e tretë, Aron Koni ishte më i disponuar se Arti Karabaxhaku për të triumfuar me 3:1.
Në përgjithësi turneu ishte shumë mirë i organizuar dhe të pranishmit panë shumë ndeshje të forta me poenë shumë atraktive, ndërsa sot janë duke u zhvilluar ndeshjet në kategorinë e seniorëve.
Finalja e meshkujve është paraparë të zhvillohet sonte, e diel, nga ora 20:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Ekonomia Online.