Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me dy vite burgim të pandehurin V.K.
Të pandehurin V.K, Gjykata e shpalli fajtor për shkak se më 6 shkurt rreth orës 13:50, në magjistralen Pejë – Mitrovicë, pikërisht në fshatin Saradran Komuna Istog, Policia i kishte gjetur në bagazhin e veturës tetë paketime të mbështjella me substancë narkotike të llojit “Marihuanë”.
Ndaj të pandehurit Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vite, e në të cilin dënim me burg i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Në njoftimin e bërë nga Gjykata Themelore thuhet se, pas shpalljes së aktgjykimit të pandehurit i është ndërprerë paraburgimi dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri dhe është detyruar që deri në përfundim të procedurës ta njoftoj gjykatën për çdo ndryshim të adresës.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/