Kosova ka nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Nënshkrimi i këtij dokumenti shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit kanë nisur para katër viteve, vetëm pasi Kosova është angazhuar në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Serbia si shpërblim ka fituar negociatat për anëtarësim në BE.