Dy vjet më parë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur “rrenc” dhe “tradhtar”, Murat Mehën, kryetarin e Komisionit për përcaktimin e pikës kufitare me Malin e Zi, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj në atë kohë anëtarë i komisionit për Punë të Jashtme, pos që e kishte fyer i kishte përplasur një hartë në fytyrë Mehës.
Më pas ai ka braktisur në mënyrë demonstrative mbledhjen e komisionit. Mehën në këtë komision ishte ftuar që të raportonte për demarkacionin me shtetin fqinjë.
Kreu i AAK-së vazhdimisht ka kritikuar punën e komisionit shtetëror me në krye Mehën. Përcaktimi i pikës kufitare sipas Haradinjat dhe opozitës së atëhershme i ka shkaktuar Kosovës humbjen e 8000 hektarëve.
Haradinaj prapë do të merret me Murat Mehën. Burime të Ekonomia Online brenda koalicionit PAN bëjnë të ditur se ndër punët e para që do t’i bëjë Ramush Haradinaj si kryeministër është shkarkimi i Komisionit Shtetëror për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në krye me Murat Mehën.
Ndërsa, po sipas këtyre burimeve këtij Komisioni do t’i prijë profesori i gjeografisë dhe ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili do të ketë barrën kryesore së bashku me disa ekspertë ndërkombëtarë për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
E këtë ide të PAN-it e ka mirëpritur Bulliqi i cili në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se edhe pse nuk ka marrë ndonjë ftesë apo propozim të tillë është i gatshëm të japë kontributin e tij profesional për të zgjidhur çështjen e demarkacionit, të cilin e vlerëson mjaftë problematik.
“Në qoftë se Qeveria e ardhshme mendon se ka nevojë për eksperiencën tonë dhe punën tonë, sigurisht që ne bashkërisht me një ekip do të jemi të gatshëm t’i bashkëngjitmi atij komisioni dhe t’i ndihmojmë për me i tejkalua të gjitha këto sfida dhe probleme të cilat janë”, ka thënë Bulliqi.