Fermerët kanë marr një lajm të mirë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Bujqësisë, pasi kjo e fundit ka vendosur t’i dyfishojë pagesat direkte për ta.
Me këtë rast, Milazim Berisha, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, ka falënderuar Ministrin Besian Mustafa, duke shpresuar që ai do t’i marr parasysh edhe kërkesat e tjera të cilat i kanë diskutuar bashkërisht.
“Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim ndaj vendimit të fundit të qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë në krye me ministrin Besian Mustafa, me rastin e dyfishimit të pagesave direkte për fermerët”.
“Edhe pse fermerët këtë vit kane humbje të pakompensueshme, kjo masë do të jetë një ndihmesë e madhe dhe stimul shtesë që ky sektor. Për më tepër atyre u epet një mundësi dhe shtytje më tepër në mënyrë që t’i mbijetojnë situatës së krijuar si pasojë e pandemisë globale dhe rënies së madhe së fuqisë blerëse në vend”.
“Shpresojmë që edhe kërkesat tona të tjera që i kemi diskutuar edhe me ministrin Besian Mustafa dhe dërguar të shkruara si shoqatë dhe industri prodhuese e qumështit, të hasin në përkrahje në masat e radhës mbështetëse për rimëkëmbje ekonomike që priten në vijim, të cilat do të ishin një zgjidhje më afatgjate për fermerët dhe prodhuesit në përgjithësi dhe do të rrisnin shpresat e fermerëve për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurt”.
“Po ashtu, së bashku me ministritë dhe institucionet të tjera relevante urgjentisht të krijohen kushte, mundësi dhe forma shtytëse për shitje të prodhimeve vendore, si nevojë imediate!”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ShPQK-së, pas marrjes së vendimit.