Dymbëdhjetë infermierë, të trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës janë bashkëngjitur Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si ndihmë në luftën ndaj Coronavirusit,, raporton Ekonomia Online.
Gatishmëria e tyre u vlerësua lartë nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha bashkëpunimi institucional në luftimin e pandemisë po jap rezultate.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional për ta luftuar pandeminë po i jep rezultatet e veta. Sot këta ushtarë i shihni si pjesë organizative që t’u dalin në ndihmë profesionistëve tanë shëndetësorë”, ka deklaruar Zemaj.
Zemaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës është në rrugën e duhur për sigurimin vaksinave kundër COVID-19.
Pa përmendur sasinë, Zemaj ka thënë se po punohet që të sigurohen vaksinat kundër COVID, të cilat sipas tij, do të jepen falas për qytetarët e Kosovës.
“Jemi në hapa konkret dhe që mendojmë të realizueshëm nëse vaksina hidhet në përdorim që edhe ne ta sigurojmë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës…. Tash mbetët një vlerësim i yni në të dy rrugët. Unë si ministër i Shëndetësisë obligohem dhe zotohem që duhet të siguroj për gjithë qytetarët e mi, pavarësisht çmimit apo mënyrës, se si të arrij që ajo vaksinë të jetë për qytetarët e Republikës së Kosovës…. Unë do t’i vaksinoj falas”, është zotuar Zemaj.
E sa i përket pagës shtesë për punëtorë shëndetësor, Zemaj ka thënë që kjo do të vazhdojë deri në përfundim të pandemisë.
“I gjithë personeli shëndetësor që është në listat zyrtare të pagave në Republikën e Kosovës do të ketë pagën shtesë deri në përfundim të pandemisë. Përshkallëzimi do të jetë edhe në aspektin profesional por edhe të angazhimit të drejtpërdrejtë në luftimin e pandemisë COVID-19, por jo me një dallim të theksuar”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë qytetarët duhet të vazhdojnë në zbatimin e masave që i ka marrë Qeveria e Kosovës, edhe të përgatitemi edhe për muajt në vijim për çfarëdo situate qoftë ajo
Shkëlzen Syla, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se synojnë që të orientohen në klinikat ku ka më shumë nevojë, raporton EO.
“Synojmë kapacitet tona të orientohen në klinikat ku ka më shumë nevojë. Këta do të ndahen në katër njësi me nga tre infermierë ku fillimisht do të hyjnë në klinikën Infektive e më pastaj në tjerat”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka shprehur falënderimet e tij për gatishmërinë e FSK-së për të vënë në dispozicion ushtarët e saj për të ndihmuar në cilësinë e infermierëve në QKUK, në luftimin e pandemisë COVID-19.
Krasniqi ka thënë se beson në profesionalizmin e këtyre 12 ushtarëve.
“Shkathtësitë e juaja, profesionalizmin tuaj të ngritur me vite të tëra, tani keni rast që t’i jepni në një kënd tjetër. Në atë për ndihmën ndaj pandemisë COVID-19. Është hera e parë që infermierët e ushtrisë sonë kyçen drejtpërdrejti në sistemin tonë shëndetësor. Kam shumë besim në profesionalizmin tuaj. Shkëmbimi i përvojave tuaja do ta ndërrojë mozaikun e plotë për shërbime sa më kualitative për pacientët tanë”, ka deklaruar Krasniqi.