Dymbëdhjetë suksese sportive në 12-vjetorin e Pavarësisë

Prishtinë | 17 Shk 2020 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Procesi i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar ka zgjatur më tepër se që ishte menduar. Kohë të gjatë sportistët e vendit kanë luftuar izolimin, ndërsa prani të madhe në skenën ndërkombëtare kanë vetëm prej fillimit të vitit 2015 e tutje. Në dhjetor të vitit 2014, Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe kështu u hapën dyert e mëdha të arenës ndërkombëtare për sportistët kosovarë. Ndonëse jo shumë vjet në garat e vërteta, vazhdimisht është vlerësuar se sportistët kanë bërë prezantimin më të mirë të shtetit të Kosovës.

Medalja e artë olimpike, medaljet në Lojërat Evropiane, në kampionate botërore e evropiane kanë bërë të gjithë që të mburren me sportistët, përkatësisht xhudistët kosovarë. Në sportet ekipore sukseset ishin më të pakta, por Kosova tashmë ka “prekur” Botërorin falë hendbollistëve të rinj, ndërsa shumë suksese janë arritur në futboll, por edhe në disa sporte të tjera.

Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës paraqesim 12 prej sukseseve sportive të arritura nga garuesit që kanë prezantuar vendin pas shpalljes së Pavarësisë. Lista e sukseseve natyrisht është më e gjatë.

Dalja në skenë e Majlinda Kelmendit (2009)

Image

Shumica e sukseseve të Kosovës në skenën sportive janë të lidhura me emrin e xhudistes Majlinda Kelmendi. Sukseset e saj shpesh kanë tejkaluar rrafshet sportive – kanë ndihmuar në promovim të vendit më shumë se çdo gjë tjetër. Majlinda ka nisur me gara më herët, por në vitin 2009 depërtoi në skenën e madhe. Ajo fitoi titull të Evropës dhe të botës për juniore atë vit. E para e Evropës doli në Yerevan të Armenisë, ndërsa e para në botë në Paris, në muajin tetor. Sportistja me të cilën do të identifikohej vendi bëri hapat e mëdhenj.

Titulli i parë i botës (2013)

Image

“Titullin e botës ia kushtoj Kosovës”. Kështu kishte thënë Majlinda Kelmendi pak kohë pasi në Rio të Brazilit siguroi titullin e parë të botës në xhudo. Ishte natyrisht titulli i parë i botës për Kosovën dhe suksesi bindshëm më i madh deri atëherë. Titullin e parë e siguroi në Rio de Janeiro të Brazilit, më 27 gusht të vitit 2013. “Këtë sukses ia kushtoj shtetit të Kosovës, trajnerit tim Driton Kuka, familjes dhe të gjithë shqiptarëve”, deklaronte Majlinda atë mbrëmje. Ajo të gjitha sukseset i ka në kategorinë deri 52 kg.

Miqësorja e futbollit me Haitin (2014)

Gjatë ishin angazhuar drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës për të marrë lejen e FIFA-s, për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare. Zhvillimi i miqësoreve shihej si rrugë e duhur për t’iu afruar pranimit në FIFA e UEFA. Leja më në fund erdhi në janar të vitit 2014. Nuk vonoi shumë dhe FFK-ja e drejtuar atëbotë nga tashmë i ndjeri Fadil Vokrri organizoi ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare. Haiti kishte pranuar të përballej me Kosovën. Më 5 mars të vitit 2014 ndeshja e shumëpritur u luajt në Mitrovicë, në stadiumin “Adem Jashari”, të stërmbushur me 17 mijë shikues. Gola nuk kishte në ndeshje, por kishte çdo gjë tjetër. Entuziazmi preku kulmin. Paraqitja në fushë e Kosovës u vlerësua lart, ndërsa përkrahja nga tribunat ishte vlerësuar e jashtëzakonshme. Edhe buja ndërkombëtare e synuar ishte arritur. Për ndeshjen e parë të Kosovës, ndonëse ndaj një kundërshtari inferior, kishin raportuar media të fuqishme, shkruan Koha.net.

Titulli i dytë i botës (2014)

Titullin e botës Majlinda e mbrojti në Chelyabinsk të Rusisë, më 26 gusht të vitit 2018. Derisa në Rio garoi për Kosovën, në Rusi nuk iu lejua kjo. Ajo u prezantua si garuese e IJF-së, Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. “Kur para një viti u bëra kampione, të gjithë më uronin. Por edhe më thoshin se është më e lehtë të fitosh titullin sesa ta mbrosh atë. Definitivisht është e arritur e jashtëzakonshme. Është ndjenjë e papërshkrueshme”, deklaronte Majlinda.

Debutimi i “bronztë” në Lojërat Evropiane (2015)

Image

Në vitin 2015 u mbajt edicioni i parë i Lojërave Evropiane. Për Kosovën sidomos ishte ngjarje me shumë peshë. Ishte hera e parë që Kosova po paraqitej në një ngjarje të madhe shumësportëshe. Lojërat Evropiane u mbajtën në Baku të Azerbajxhanit prej 12 deri më 28 qershor. Kosova dërgoi një delegacion masiv me 19 sportistë e shumë më tepër zyrtarë e drejtues.

Që debutimi në skenën e madhe ndërkombëtare të jetë i suksesshëm, mundësoi xhudistja Nora Gjakova. Ajo fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 57 kilogramë. Nora më pas ka fituar edhe shumë e shumë medalje, por medalja në Baku mbetet prej më të veçantave të saj dhe të Kosovës.

“Pushtimi” i Rusisë (2016)

Image

Flamuri i Kosovës u ngrit lart, himni i Kosovës u intonua, ndërsa ushtarët e Gardës Ceremoniale të Rusisë qëndronin gatitu kur ky nder po i bëhej shtetit të Kosovës. Këtë e bëri të mundur Majlinda Kelmendi. Ajo fitoi medaljen e artë në Evropianin e vitit 2016 në Kazan të Rusisë, ndërsa mijëra rusë u ngritën në këmbë për të nderuar atë, himnin dhe flamurin e Kosovës. Për të nderuar shtetin e Kosovës që Rusia vazhdon të mos e njohë. Suksesi i Majlindës ishte vlerësuar fitore e madhe politike për shtetin e Kosovës, për promovimin e tij në botë. Vetëm në çastet e fundit ekipit të Kosovës i ishte lejuar të garonte si i barabartë në Evropianin e mbajtur në Kazan, në prill të 2016-s. Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë në atë Evropian.

Suksesi më i madh – e arta olimpike e Majlindës (2016)

Image

Majlinda u kthye në Rio de Janeiro për të siguruar shkëlqimin në skenën më të madhe, atë të Lojërave Olimpike. Më 7 gusht të vitit 2016 ajo arriti suksesin më të madh të mundshëm – medaljen e artë olimpike. Kosovës i mundësoi debutim perfekt në Lojëra Olimpike. Për atë ditë e atë sukses Majlinda është përgatitur shumë gjatë. Prej fillimit të karrierës synimi i saj ishte medalja olimpike, që ajo vazhdimisht thotë se nuk do ta arrinte pa përkrahjen e jashtëzakonshme të trajnerit Driton Kuka. Në fakt për çdo sukses Majlinda e falënderon trajnerin Kuka, kreatorin e karrierës së saj. “Nuk ka para në botë që do të mund të më bënin të ndieja këtë moment, fitimin e medaljes së artë për Kosovën. Faleminderit gjithë shqiptarëve për përkrahjen! Më vjen mirë që mund të bëj diçka për shtetin tim përmes xhudos”, kishte thënë Majlinda.

Suksesi i saj bëri bujë. Për Majlindën e Kosovën u shkruan qindra shkrime. Për të raportuan mediat më të mëdha ndërkombëtare. Kosova po promovohej si asnjëherë më parë.

Barazimi në Turku (2016)

Pranimi në UEFA (3 maj 2016) dhe në FIFA (13 maj 2016) ia mundësoi Kosovës që të paraqitet në kualifikimet për Botërorin e futbollit të vitit 2018. Kur Kosova u pranua, grupet ishin të caktuara, por ajo megjithatë u vendos në grupin I. Më vonë u mësua se ai ishte një grup shumë i fortë. Kosova më 5 shtator të vitit 2016 e luajti ndeshjen e parë të saj zyrtare kualifikuese. Në Turku të Finlandës barazoi 1:1 me Finlandën. Golin e shënoi Valon Berisha në minutën e 60-të nga penalltia. Edhe në ditën e ndeshjes erdhën leje për lojtarët që të luajnë për Kosovën. Ishte në fakt një ndeshje me fazë përgatitore shumë të komplikuar e të ngarkuar, por që përfundimisht zë vend në mesin e sukseseve më të mëdha sportive. Jo për rezultatin, sa për gjitha zhvillimet që i paraprinë asaj.

E bronzta e karatesë (2016)

Viti 2016 ishte përfundimisht i Majlindës dhe xhudos, por janë arritur edhe suksese në sporte të tjera individuale. Në Botërorin e mbajtur në fund të tetorit në Linz të Austrisë, Herolind Nishevci fitoi medalje të bronztë. Ai garoi në kategorinë mbi 84 kilogramë. Ndër vite karateistët kanë fituar medalje edhe në kampionate evropiane në grupmosha të reja.

Hendbollistët në Botërorin e parë (2019)

Image

Derisa në sportet individuale pjesëmarrja në Botëror nuk paraqet sfidë, në sportet ekipore është ndryshe. Të arrish në Botëror është rezultat i jashtëzakonshëm. Kosova këtë e ka arritur vetëm një herë deri më tani. Ishte përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll që verën e kaluar u paraqit në Botërorin e juniorëve të mbajtur në Spanjë. Kosova në Botëror shënoi një fitore, ndërsa kishte edhe një barazim. Ndeshjet e tjera i humbi. Por hendbollistët mburren që janë të parët dhe të vetmit që kanë garuar në Botëror.

“Është sukses i jashtëzakonshëm. Për më tepër, kemi mundësuar që të prezantohet shteti i Kosovës në një vend që nuk na pranon, si Spanja. Kemi garuar të barabartë në një ngjarje të madhe dhe kjo është fitore e madhe edhe në rrafshin politik, jo vetëm atë sportiv”, thotë kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini.

Tri medalje në një Botëror (2019)

Kosova nuk fitoi titull në Botërorin e vitit të kaluar në xhudo. Por fitoi plot tri medalje të bronzta. Numri i medaljeve bën trajnerin Driton Kuka që të vlerësojë shumë lart botërorin e 2019-s. Në Botëror në të kaluarën medalje kishte vetëm Majlinda. Vjet pos saj medalje të bronzta fituan edhe Distria Krasniqi (48 kg) dhe Loriana Kuka (78 kg). Botërori ishte mbajtur në Tokio të Japonisë në fund të gushtit.

Fushata kualifikuese për “Euro 2020”

Image

Kosova përfundoi e treta, pozitë që nuk ia siguroi kualifikimin në Evropianin e këtij viti. Megjithatë fushata kualifikuese për “Euro 2020” u vlerësua storie shumë e suksesshme për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Vendi u bashkua rreth përfaqësueses së futbollit. Përkrahja për përfaqësuese ishte e jashtëzakonshme, njëjtë si kërkesa për një biletë për të hyrë në stadium. U arritën fitore të mëdha me Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi, ndërsa u vlerësua edhe paraqitja në udhëtim ndaj Anglisë. Një kohë Kosova vlerësohej befasi e kualifikimeve. Kulmi i bujës ndërkombëtare megjithatë u arrit në ndeshjen e fundit, në Prishtinë ndaj Anglisë. Pritja që u bë për lojtarët dhe tifozët anglezë siguroi “reklamë” shumë të mirë për Kosovën në botë. Nuk pati asnjë incident dhe pati falënderime të shumta nga anglezët.

Entuziazmi për përfaqësuesen e futbollit vazhdon të jetë i madh. Kosova muajin tjetër luan një apo dy ndeshje në tentim për të siguruar paraqitjen në Evropian me rrugë alternative. Rruga e dytë është mundësuar nga paraqitja e mirë në vjeshtën e 2018-s, në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Sigurimi eventual i paraqitjes në Evropian do të bënte që ndeshjet e marsit 2020 të renditen lart në listën e sukseseve më të mëdha sportive të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme