Që pas mesnate ka pasur dyndje të pushuesve nga Kosova në doganën e Morinës. Burime të policisë kufitare thonë që piku i fluksit arriti në orën 4:00 të mëngjesit duke regjistruar numrin më të lartë të mjeteve e qytetareve që kane kaluar në Shqipëri për këtë sezon.
Deri në orën 7, ky numër kaloi shifrat e 11 mijë qytetarëve. Ndërkohë, kufirin e kaluan me mijëra autovetura e dhjetëra autobusë të shoqërive turistike, njofton Top Channel.
Policia kufitare edhe pse me gjashtë sportele u desh të punonte me procedurë të përshpejtuar madje për më shumë se 30 minuta trau i doganës qëndroi i ngritur duke punuar vetëm për drejtimin e trafikut për shkak të fluksit të lartë, radhët e të cilave u panë deri në fshatin Vermicë të Kosovës.
Për qytetarët e Kosovës, Durrësi, Shëngjini, Velipoja dhe jugu i Shqipërisë mbesin ndër preferencat kryesore.