Dyshime për hyrje të dronëve serbë në Kosovë, ish-ushtaraku: Nuk duhet të neglizhohen

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 08:02 | Nga Diellza Gashi

Ndonëse ende nuk ekziston një konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës apo KFOR-i në lidhje me dronët nga Serbia që dyshohet të kenë hyrë në territorin e Kosovës, më saktësisht në Novosellë të Kamenicës, megjithatë ish-ushtaraku Hysen Gecaj ka thënë për Ekonomia Online se raportimet e tilla nuk duhet të neglizhohen.

Megjithatë, ai ka theksuar se vetëm një deklaratë zyrtare nga misioni i NATO-s mund ta sqarojë situatën dhe të shmangë përhapjen e dezinformatave.

“Jemi në një kohë kur kemi shumë lajme të cilat më tepër duken si spekulime sesa si realitet, prandaj është shumë e vështirë që në këtë rast të vihet deri te një përfundim nëse ka ndodhur vërtet një gjë e tillë apo jo. Nuk ka një komunikatë zyrtare, qoftë nga institucionet shtetërore të Kosovës, ose nga KFOR-i, i cili është kompetent për sigurinë dhe territorin e Kosovës. Kjo që është dëgjuar nëpër media dhe që është folur deri më tani, faktikisht nuk ka një bazë të qëndrueshme për ta konfirmuar ose mohuar praninë e atyre dronëve në territorin e Kosovës”.

“Diçka e tillë është e mundshme të ndodhë, nuk duhet të përjashtohet dhe nuk duhet të neglizhohet, mirëpo meqenëse edhe në të kaluarën kemi pasur informata, apo më drejtë t’i quajmë dezinformata të shpeshta, kërcënime ndaj territorit apo kërcënime për rreziqe të ndryshme të cilat asnjëherë nuk kanë ndodhur dhe nuk janë verifikuar, atëherë ky lajm i fundit nuk fiton shumë besim për të besuar se ka ndodhur vërtet kështu. Përfundimisht, besoj që NATO-ja, gjegjësisht KFOR-i, me prezencën e tij do të duhej të japë një përgjigje lidhur me këtë, meqenëse është përgjegjësi kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, deklaroi Gecaj.

Gecaj theksoi se KFOR-i, si përgjegjës kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, duhet të japë një sqarim publik.

“Përndryshe, jemi në një fazë kur shumë faktorëve, edhe të brendshëm edhe të jashtëm, u konvenon shumë përhapja e dezinformatave për qëllime të ndryshme, për të tërhequr vëmendjen nga shumë ngjarje të tjera të cilat janë më me rëndësi se kjo. Një lajm i tillë shpesh tërheq vëmendjen në drejtim të kundërt nga ajo që një pushtet ose një klasë e caktuar politike nuk do të donte të shihej. Këto ndërhyrje mund të jenë të tilla edhe nga faktorë të jashtëm, pra jashtë territorit të Kosovës, por edhe nga brenda territorit të Kosovës. E them këtë sepse shteti, gjegjësisht përfaqësuesit e shtetit, do të duhej të ishin shumë seriozë në deklarimet e tyre, shpeshherë, për shkak se kjo më vonë e humb besimin e qytetarëve, të cilët bien në konfuzion dhe nuk dinë nëse duhet t’u besohet lajmeve që dalin në opinion apo jo. Në këtë rast, së paku në këto momente, nuk di që ka pasur një qëndrim zyrtar të institucioneve të Kosovës në lidhje me këtë çështje”, shtoi ai.

Pa një deklaratë zyrtare, veçanërisht nga KFOR-i, çdo pretendim për praninë e dronëve mbetet në fazën e spekulimeve.

“Pa një informatë zyrtare nga institucionet e Kosovës, në veçanti nga KFOR-i, gjithçka mbetet në fazën e spekulimeve. Nëse kanë qenë vërtet në territorin e Kosovës, kjo është një lëshim, nuk është diçka që nuk mund të ndodhë — mund të ndodhë. Mirëpo, së paku kisha pritur një reagim serioz të institucioneve të sigurisë, edhe nëse ka ndodhur një incident, sepse është e mundshme që ata të depërtojnë, por së paku pas këtij rasti të ketë një deklarim dhe një qasje serioze nga institucionet e sigurisë vendore dhe nga KFOR-i”, përfundoi njohësi i sigurisë.

Të ngjashme