Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar sot se pas angazhimit të madh me autoritetet policore gjermane kanë arritur të vijnë deri tek dyshimi i parë për dy fëmijët që ishin zhdukur në mëngjesin e së enjtes.
Lajmin e ka bërë të ditur Astrit Zemaj, ushtrues detyre i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Gjermani.
Bëhet fjalë për 13-vjeçarin Qendrim Nimonaj dhe 11-vjeçarin Leutrim Nimonaj, vëllezër me prejardhje nga Kosova të cilët kanë qenë të vendosur me një vendbanim kolektiv në Borsdorf afër Leipzigut.
Sipas njoftimit, në bazë të dhënave që ka ofruar nëna e fëmijëve, ajo është deklaruar se familja Nimonaj është me përkatësi rome nga komuna e Klinës dhe gjendej si azilkërkues në Gjermani që nga viti 2014.
“Falë bashkëpunimit intensiv mes autoriteteve gjermane dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës, si dhe bisedave të vazhdueshme telefonike me nënën e fëmijëve, është arritur tek dyshimi i bazuar për largim të qëllimshëm i cili ka rezultuar me lokalizimin e vendndodhjes së fëmijëve tek një i afërm i familjes (axha i tyre)”.
“Duhet theksuar se babai disa ditë me parë ishte riatdhesuar nga autoritetet gjermane për në Kosovë se bashku me 5 fëmijë, përderisa në Gjermani kishte mbetur nëna shtatzënë me tre fëmijë të tjerë, dy nga të cilët ishin larguar në drejtim të panjohur në mëngjesin e ditës së enjte”, thuhet në njoftim.