Zemaj uron 1 Majin: Është kjo Qeveri që me veprimin dhe mosveprimin e saj po i inkurajon qytetarët që ta lëshojnë vendin

Prishtinë | 01 Maj 2022 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj përmes një postimi në facebook ka thënë se 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ka vetëm një këtë epilog: mosrespektim të theksuar të djersës së punëtorit, mos vlerësim të punës së tyre, kushte më të vështira e pa dëgjueshmëri totale qeveritare ndaj zërit dhe të drejtave të tyre.

Zemaj ka shkruar se Qeveria aktuale po u pamundëson edhe garën e drejtë për punësime e lëre më kushtet e punës; në konkursin e KEK-ut aplikuan 4668 persona, ndërsa u pranuan 128 prej tyre, dhe që të gjithë familjarë të zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje dhe militantë e të afërm të pushtetit.

“Ishte kjo Qeveri që i kishte larguar nga puna më shumë se 575 profesionistë shëndetësor, të cilët ishin në luftë të përhershme me COVID-19. Është kjo Qeveri e cila ende nuk e ka miratuar Ligjin e Pagave, ndërsa rritjen e pagës minimale e ka rritur deri në nivel lëmoshe.

Është kjo Qeveri që me veprimin dhe mosveprimin e saj po i inkurajon qytetarët që ta lëshojnë vendin.

Është paaftësia qeverisëse ajo që po i thellon krizat, përkatësisht atë të rritjes së çmimeve të produkteve. Aty ku nuk ka krizë po e krijon një të tillë, ndërsa çmimin padyshim që e paguajnë të gjithë, me theks të veçantë ata që janë në marrëdhënie pune si dhe ata që synojnë të gjejnë një vend pune.

Në paaftësinë qeverisëse vend qendror zë padëgjueshmëria!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme