Me tone të gjalla që dëshmojnë virtuozitetin e tij, të panjohur edhe aq për publikun kosovar, e ka nisur mbrëmjen e dhjetë të “Chopin Piano Fest”, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, të shtunën mbrëma, pianisti prizrenas Malik Halçe me veprën “Mephisto Waltz No.1 S 514” të kompozitorit, dirigjentit e pianistit virtuoz të romantizmit Franz Liszt.
Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, ka thënë se vetë është përkujdesur që t’ia përzgjidhte këtë vepër, ngase është kulmi i pianistikës dhe njëra nga veprat më të vështira. Është pjesë e suitave për piano të Ravelit, e shkruar më 1908.
Melos Buza lojën në piano e ka nisur me veprën “Polonaise in B-major, op.71” të kompozitorit Frederic Chopin, emrin e të cilit e mban festivali. Chopini e kishte kompozuar rreth vitit 1817-s, por nuk ishte botuar kurrë gjatë jetës. Ai e kishte lënë amanet që ajo të digjej pas vdekjes, por kundër dëshirës së tij, kjo vepër doli në dritë më 1910. Për të sjellë në skenë “pranverën” e ritme të modernitetit, Buza ka vendosur para vetes partiturat dhe ka luajtur veprën “Prishtina Blues” të kompozitorit dhe dirigjentit kosovar Rafet Rudi. Në mungesë të tij, Lejla Pula ka shpjeguar se “Prishtina Blues” është vepër e adhuruar nga pianistët kosovarë dhe luhet shpesh.
Mbrëmjen e ka përfunduar me veprën “Piano Sonata no.6 në A major, op. 82”, të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Sergei Sergeyevich Prokofiev.
Halçe dhe Buza kanë dhënë një performancë të jashtëzakonshme në aspektin teknik, të virtuozitetit pianistik, rafinitetit tingullor dhe kanë treguar të kenë mbërritur profesionalizëm të lartë gjatë studimeve të tyre.
“Chopin Piano Fest” numëron edhe gjashtë mbrëmje të tjera para se të përmbyllë këtë edicion jubilar, të dhjetin me radhë.