I dyshuari për krime lufte në Zhegër do të gjykohet në Mal të Zi

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 13:30 | Nga

Një ish-ushtar i akuzuar për përfshirje në krime kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 gjatë kohës që ishte pjesë e Ushtrisë jugosllave, muajin e ardhshëm do të përballet me drejtësinë në Mal të Zi.
Shtetasi malazez Vlado Zmajeviq, i dyshuar për vrasjen e të paktën gjashtë shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999, do të dalë në gjyq për krime lufte më 10 maj.

Do të jetë gjyqi i parë për krime lufte në Mal të Zi në disa vite. Sistemi gjyqësor i vendit ka gjykuar deri më tani vetëm gjashtë raste, të cilat përfunduan të gjitha në vitin 2013, shumica e të cilave përfundoi me lirim nga akuzat.

Zmajeviqi, i cili ishte pjesë e forcave të Ushtrisë Jugosllave që luftonin në Kosovë në 1998 dhe 1999, u arrestua nga policia malazeze gushtin e kaluar në qytetin e Nikshiqit. Zmajeviqi akuzohet se ka kryer krime kundër popullsisë civile, shkruan “kallxo.com”.

“I dyshuari do të merret në pyetje nga prokurori special, pas të cilës duhet të merret një vendim në lidhje me procedimet e mëtejshme në këtë rast,” tha Prokuroria Speciale në gusht të vitit të kaluar. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Zmajeviq është një i dyshuar kryesor në një krim të kryer nga paraushtarakët serbë në fshatin Zhegër të Gjilanit në mars të vitit 1999.

Ai ishte njëri nga grupi i shtatë luftëtarëve të dyshuar të përfshirë në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës në Zhegra, tha të enjten drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare Bekim Blakaj. “Bazuar në dëshminë e dëshmitarëve okularë, më 29 mars 1999, tetë autobusë me vullnetarë të ushtrisë dolën në fshat dhe vranë gjashtë vetë,” ka thënë Blakaj për “Radion Evropa e Lirë”. “Sigurisht, ata ishin të gjithë civilë, me përkatësi etnike shqiptare, përfshirë burra të mëshuar dhe gra. Ajo që dimë deri më tani është se ishin dy gra dhe katër burra,” ka theksuar ai.

Emri i Zmajeviqit përmendet në regjistrat e Gjykatës së Hagës në lidhje me gjyqet e gjeneralit të policisë serbe, Sreten Lukiq dhe gjeneralit të Ushtrisë jugosllave Nebojsha Pavkoviq. Dëshmitarët e mbrojtjes në të dyja rastet pretenduan se Zmajeviq ishte përgjegjës për vrasjet në fshatin Zhegër.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Hagës, Zmajeviq ishte anëtar i Brigadës 175 të Motorizuar të Ushtrisë jugosllave. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai u arrestua, u ndoq penalisht nga ushtria dhe u dënua me 20 vjet burg për krimet në Zhegër. Megjithatë, ai nuk e kreu dënimin. Arsyet për këtë nuk dihen ende.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme