Vikendin që lamë pas, Komuna e Prishtinës, shndërroi unazën qendrore të komunës në unazë qarkore njëkahëshe për automjetet.
Ky testim i komunës u prit me kritika të shumta nga qytetarët, për shkak të tollovisë së krijuar në komunikacion ku radhët e makinave dhe pritjet ishin të gjata.
Ndërsa sot gjatë ditës, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, paralajmëroi se ky veprim do të bëhet prapë duke lënë mundësinë që të bëhet vendim i përhershëm dhe jo më si testim.
Rreth këtij testimi të komunës, rezultatit të saj dhe mundësisë kjo rrugë të bëhet një kahëshe gjatë tërë kohës, për lajmi.net kanë se njohësit e menaxhimit dhe komunikacionit, Nol Dedaj dhe Faton Bunjaku.
Dedaj, tha se ai shpreson që ky testim është hapi i parë që bëhet në ndryshimin e qarkullimit të automjeteve, duke shtuar se, sipas tij, niveli i menaxhimit të komunikacionit sot në Prishtinë është shumë i dobët.
“Po shpresoj se ky është hapi i parë për ndryshimin e rregullimit të qarkullimit të automjeteve në kuadër të Komunës së Prishtinës. Na shohim që komuna e Prishtinës, menaxhimi i komunikacionit është aq i dobët, sa që është niveli më i ulët i menaxhimit të qarkullimit të automjeteve. Prishtina është një qytet më 300 apo 400 mijë banorë, kjo e bënë jashtëzakonisht të përshtatshëm për testime”, tha ai.
Tutje, ai shtoi se nga testimi i parë do të dalin elementet edhe pozitive por edhe negative të cilat mund të rregullohen në testimin e dytë.
Ai po ashtu tha se rruga njëkahore e cila po mendohet të bëhet, duhet të përmbajë edhe elemente tjera që mundëson edhe shërbime tjera për biçikleta, këmbësorë por edhe për persona me aftësi të kufizuara.
“Do më thënë ka filluar testimi i parë, ku edhe janë dhënë rezultatet e para, nga të cilat do të dalin edhe elementet pozitive edhe elementet negative, të cilat në testimin e dytë do të rregullohen, e që pastaj do të përgatiten edhe për lëshuarën e rrugës njëkahore. Kjo rrugë njëkahore do t’i përmbajë disa elemente të sigurisë por edhe për shërbime të tjera, për biçikleta, për këmbësorë, për persona me aftësi të kufizuara”, vazhdoi Dedaj.
Sa i përket kritikave që janë bërë në drejtim të këtij veprimi të Komunës së Prishtinës, ai tha se këto kritika duhet të vijnë nga njerëz profesionit të fushës
“Unë mendoj që kritikat duhet me vijnë prej njerëzve profesional dhe jo prej qytetarëve. Për shkak se profesionistët i kanë identifikuar pikat ku ka pasur probleme dhe që tash duhet të fazën e dytë të testimit si po shkon”, përfundoi Dedaj.
Rreth së njëjtës çështje, për lajmi.net, është prononcuar edhe Faton Bunjaku, i cili kritikoi veprimin e komunës, sepse, sipas Bunjakut, ky testim është bërë me jo profesionalizëm. Duke shtuar se testime të tilla, kërkojnë llogaritje të sakta para se të zbatohen.
“Së pari mënyra e testimit qysh është ka e bënë komuna e Prishtinës, tregon bajagi një jo profesionalizëm të madh. Sepse testimet nuk bëhen në këso forme, ato kërkojnë së pari numërim, kërkojnë llogaritje, kërkojnë zbatimin e tyre përmes programeve profesionale dhe ato na e japin një pasqyrë më të saktë për nivelin e shërbimit në të gjitha udhëkryqet”, tha ai.
Tutje, njohësi i çështjeve të komunikacionit, tha se duhet marrë parasysh banorët që jetojnë në këtë pjesë, pasi që me shndërrimin e unazës në një kahore, këtyre banorëve u bije që të lëvizin rreth qytetit, pra u dyfishohet nevoja e qarkullimit.
“E dyta pyetja shtrohet se kur është bë ky far testimi, a është bërë edhe rregullimi i ciklit të semaforëve nëpër secilën nyje? A është bërë llogaritja e nivelit të rregullimit të sinjalizimit të trafikut? A është përgatit qytetari mjaftueshëm për shfrytëzimin e mirë të këtyre rrugëve? Mos të harrojmë se me raste ti ja shton qarkullimin, e dyfishon të disa persona të cilët i kanë objektet shtëpitë e tyre të banimit edhe rruga një kahesh e detyron atë me u sjell rreth e rreth qytetit. Mendoj që ky ka qenë një vendim jo mirë i testuar, jo i mirë i marrur dhe kjo besoj që po tregon dita ditës me numër të madh të kolonave dhe pritjeve të automjeteve që po bëhen në qytet”, tha Bunjaku.
Më tej, ai shtoi se komuna së pari është dashur që të bëjë llogaritje në letër me njerëz profesionist të kësaj fushe, e pastaj të veprohet.
“Unë jam i prirur që t’i besoj më tepër shkencës. Shkenca është ajo që na thotë se sipas edhe një fjale tjetër që thotë: Lëvro së pari në libër pastaj dil puno në arë. Edhe këta së pari është dashtë me bë llogaritje në letër, sepse ka njerëz profesionist të kësaj fushe. Aq me tepër që Prishtina e ka edhe planin e mobilitetit të cilin e ka zbatuar me qeveritë e kaluara edhe mendoj që ka qenë vendim i ngutshëm. Është marrë edhe një testim tek unaza rrethore që çon në drejtim të Fushë Kosovës, por atje rezultuar që është e saktë, por atje edhe është pritë me qenë i saktë sepse planifikimi është më i mirë”, ka vazhduar Bunjaku.
Eksperti i komunikacionit, me veprimin e komunës së Prishtinës ironizoi duke thënë se, Komuna e Prishtinës, sipas tij, së pari ka e ka ndërtuar shtëpinë e pastaj e ka bë projektin e saj, raporton lajmi.net.
“Por me këtë mënyrë të testimit kjo i bjen që këta së pari po këqyrin më ndërtuar e pastaj me bë planin. E kjo na lidhet shumë me atë thënien që thotë: Të dështosh në planifikim është njëjtë sikur ta planifikosh dështimin. Edhe këta së pari kanë filluar të ndërtojnë shtëpinë e pastaj me bë projektin e shtëpisë. Edhe kjo tregon jo profesionalizëm”, përfundoi Bunjaku.
Kujtojmë se testimi i unazës një kahëshe ka filluar ditën e shtunë dhe ka përfunduar të dielën në ora 17:00.