“E dhunshme”, viktimat rrëfejnë torturat që ua shkaktoi gardianja e burgut të Lipjanit, Cepkenoviq

Prishtinë | 02 Shk 2026 | 15:31 | Nga Gzim Mujaj

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, viktimat e së akuzuarës Nadica Cepkenović kanë rrëfyer për media pas seancës së parë gjyqësore, duke përshkruar dhunë sistematike, tortura fizike e psikike dhe kushte çnjerëzore gjatë kohës sa ishin të burgosura në paralelen për femra në Lipjan në vitet e luftës, raporton Ekonomia Online.

Dëshmitë u dhanë pasi Cepkenović, e cila akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, u deklarua e pafajshme në seancën fillestare, ndërsa viktimat thanë se ballafaqimi pas më shumë se dy dekadash ka rikthyer kujtime të rënda dhe traumatike.

Jehona Krasniqi-Morina tha se përballja në sallën e gjyqit ishte e rëndë emocionalisht.

“Me të me kujtohen gjithmonë veç ngjarjet e këqija, të hidhura, dhunë sistematike të vazhdueshme, qysh nga arrestimi deri në ditën e lirimit tonë. Momenti që u ballafaquam pas gati tri dekadash në gjykatë, nuk solli emocione të mira, kuptohet. Ka qenë e dhunshme, shumë e dhunshme. Ka pasur presion psikik të jashtëzakonshëm, në mënyrë të pandërprerë, me të gjitha të burgosurat. Nuk ishte e vetmja. Janë edhe disa të tjera që u përmendën prej gardianëve dhe në këtë akuzë”, tha ajo.

Ajo shtoi se, sipas saj, përgjegjësia duhet të shtrihet te të gjithë të përfshirët.

“Për t’u vënë drejtësia në vend, duhet të jenë të gjitha sepse kanë qenë bashkëfajtore në dhunën sistematike, presionin shumë të madh psikik e fizik, deri në alivanosjes që tha dhe prokurori i rastit. Mirëpo kjo është një pikë kthese për ne, sepse pas dy dekadash e sa, është një shenjë pozitive që drejtësia ë, po don ta vënë në pah dhunën e dikujt që me të vërtetë ka bërë presion të jashtëzakonshëm. Ai është quajtur burg, po, mund të krahasohet lirisht me kampet e nazizmit, se çfarë kanë bërë me të burgosurit shqiptarë, pa dallim gjinie, si te femrat ashtu si te meshkujt. Por ne po flasim sot në cilësinë e viktimave femra, në burgun e Lipjanit. Dhuna ka qenë e jashtëzakonshme, madje ndoshta nuk kemi mujt prej asaj që ndjejmë brenda, ndoshta edhe me sqaru shumë, shumë në detaje për shkak të rrethanave që mund të preken sërish familjet tona, mund të preken familjarët tanë, mund të preken sot fëmijët të cilët i kemi. Ne atë kohë kemi qenë 20-vjeçare, 21-vjeçare. Dëgjoni, ka pasur forma më çnjerëzore të mundshme karshi të burgosurave shqiptare në vitet e luftës sa ishim”, tha ajo.

Edhe e mbijetuara tjetër Mevlyde Saraqi tha se ishte arrestuar në korrik të vitit 1998 dhe se torturat kishin qenë të vazhdueshme.

“Të gjitha ato që ishim këtu jemi viktima të asaj kohe. Unë jam burgosur me 27 korrik të vitit 1998 dhe pikërisht nga kjo dhe shoqet e saj jemi torturuar 24 orë me zero. Torturat kanë qenë nga më të ndryshmet. Merreni me mend kur me konventa ndërkombëtare garantohet të folurit e gjuhës amtare, ne e kemi pasur të ndaluar. Vetëm ajrin kemi mund ta thithim brenda dhomës 6 metra katrorë, asgjë tjetër. E kemi pasur të ndaluara vizitat, e kemi pasur të ndaluara ushqimet. E kemi pasur të ndaluar komunikimin me njëra-tjetrën. E kemi pasur të ndaluar daljen për nevoja fiziologjike që ka qenë e kurzuar për 16 orë në ditë. Pastaj kemi pasur ato kampet e mesjetës, që e them, e them me zemër të plasur, sepse ne sikur nuk kemi jetuar në Kosovë atë kohë. Ai ka qenë vetëm burg fizik në Kosovë, sepse ka qenë burg hetues, burg i rëndë, me të gjitha këto kriminele si soji i kësaj sot.

Paraqitjen e saj në sallën e gjyqit, Saraqi e përshkroi me atë të burgut, duke e quajtur kriminele.

“Po me atë shikim që është futur atje dhe sot ka hyrë në sallë, me atë injorancën e vet, me atë fytyrën e krimineles, me atë fytyrën e shpirtzezes, na ka shikuar të gjitha me radhë. Dhe për mua është një ditë e fitores sot, për faktin se ajo sot ndodhet në pozitën që kemi qenë ne, por më vjen keq që ne paguajmë taksa, edhe ju gazetarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, që ajo të ushqehet me taksat tona. Një kriminele e tillë duhet të dënohet, të dënohen edhe ato të tjera mungesë, që në mënyrë, për neve, grave e vajzave që jemi burgosur në rrethana të jashtëzakonshme, që kemi punuar për liri dhe pavarësi të Kosovës, që na kanë dëmtuar edhe gjymtyrët, na kanë dëmtuar psikikisht, moralisht, na kanë përulur, na kanë sharë kombin, na kanë sharë ushtrinë çlirimtare të Kosovës, na kanë sharë nënat shqiptare, djepin e fëmijëve shqiptarë dhe gjithçka tjetër”, tha ajo.

Ajo mes tjerash tha se në cdo moment prisnin se cila nga to do të vritet.

“Ne nuk e kemi ditur kurrë hapet dera dhe cila prej neve do të përfundojë në vrasje. Ne nuk kemi pasur orar të jemi të qeta, të mendojmë shqip. Na kanë detyruar të mendojmë gjuhën e kriminelet. Ne kemi dalë në shëtitje të përgjuara, me duar të lidhura mbrapa dhe kur jemi kthyer prej shëtitjes, lloj-lloj provokimesh kemi pasur. E mos të flasim për rrahje, që janë rrahur disa nga koleget tona që kanë qenë në burg, klithmat e tyre, tmerri, dhuna që është dëgjuar, neve nuk na ka lënë të qetë”, tha ajo.

Edhe viktima tjetër Zahrije Podrimçaku Subashi tha se gjatë qëndrimit në burg ishte përballur vazhdimisht me tortura dhe presion ekstrem, duke theksuar një rast të veçantë kur, sipas saj, ishte dërguar në një bodrum dhe ishte kërcënuar për jetë.

“Jam arrestuar me 8 Qershor, ’98-ën. Jam dënuar 4 vite. I kam mbajt 3 vite burg.

Kjo ka qenë një ndër gardianët, të gjitha janë sjellë keq, në mënyrën ma të tmerrshme, po kjo ka qenë ma kriminelja. E mbaj mend që për çdo muaj rregullisht, më ka torturu, kurr pa ndal. Gjatë bombardimeve për çdo ditë. E lëshojke magnetofonin me zë të lartë, për mos me u ni brima. Edhe ka përdor dhunë të vazhdueshme ndaj meje. Kam qenë prej femrave ma të torturume në burgjet serbe. Edhe fizikisht edhe psiqikisht”, tha ajo.

Ajo deklaroi se gjatë torturave ishte vënë nën presion që të shkelte fotografinë e Hashim Thaçit, duke treguar se kishte refuzuar edhe pse ishte kërcënuar rëndë.

Ajo tha se e akuzuara kishte hedhur fotografinë në tokë dhe kishte tentuar ta detyronte ta shkelte. “Është mundu me m’shti me shkel fotografinë e Hashim Thaçit edhe nuk e kam shkel”.

“Sa që kjo më ka çu në podrum, ka qenë një dhomë podrum me mjete lloj lloj makina të ndryshme. Edhe më ka thanë, tha: “Ky është vendi”, tha “Ku i kemi gri shqiptarët”, tha “Edhe ti nëpër këto maça sot ki me dëpertu”.

Edhe më ka gju qysh më ka ba nana e ka qit fotografinë e Hashim Thacit në tokë, edhe më kanë torturu sa kanë mujt. Deri sa s’kam mujt me i përballu. Është mundu me m’shti me shkel fotografinë e Hashim Thacit, edhe nuk e kam shkel. Në fund i kam thanë: “Nxirre revolen vram, se nuk e shkeli se është vëllai jem”. Edhe e kom marrë fotografinë prej toke, e kam qit në gjoks. Masandej u ka kthy kjo, iu ka kthy koleges vet, Sllogjana Arsiqit, edhe i ka thanë tha: “Kjo është kokëfortë”, serbisht, tha “leje”, tha “këtë budallicë”, tha “se s’pranon”, tha “veç me mbyt””, tha ajo.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur të hënën seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cepkenović, e cila është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj për krime lufte kundër popullatës civile.

“Nuk jam fajtore”, tha ajo gjatë seancës.

Sipas aktakuzës, CEPKENOVIĆ, e lindur më 8 janar 1963 në Shkup dhe me vendbanim në Pozharevac, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana SELIĆ, Danica LUKIĆ, Sladjana ARSIĆ dhe Biljana STOLIĆ, dyshohet se ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke maltretuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.

Në aktakuzë përshkruhet se të pandehurat dyshohet se i kanë torturuar viktimat në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Po ashtu, thuhet se ato kanë ushtruar dhunë psikike, kanë kërcënuar seriozisht për jetë dhe se, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme, viktimat kanë pësuar ankth e frikë, ndërsa u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja që sipas aktakuzës vazhdojnë t’i bartin edhe sot.

Të ngjashme