“E gjithë bota na ka kthyer shpinën”, “Edhe një mandat, Kosova kthehet 20 vjet mbrapa” – Qytetarët kërkojnë ndryshime

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 14:19 | Nga Florenta Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shpallja e zgjedhjeve nga ana e presidentes Vjosa Osmani, është mirëpritur nga qytetarët. Disa të intervistuar nga Ekonomia Online, thonë se Kosova nuk e ka shansin të ecë përpara për shkak të problemeve politike, ekonomike e financiare.  

Disa të intervistuar thonë se Kosova i ka të dëmtuara raportet me ndërkombëtarët, e disa të tjerë shprehen të pakënaqur me sistemin zgjedhor në vend.

I zhgënjyer me këtë qeverisje, është shprehur Ismet Avdiu nga Prishtina, i cili konsideron se nuk ka pasur zhvillim ekonomik. Ai i ka quajtur amatorë Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, teksa thekson se edhe një mandat në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje e rikthen Kosovën 20 vjet mbrapa.

“Unë shpresoj që, nëse vetëdijesohet ky popull për të bërë ndryshime radikale, Kosova mund të ecë përpara. Katër vjet Kosova ka shkuar mbrapa; nuk ka asnjë sukses nga kjo qeveri. Duhet të vijë një qeveri e re, sepse kjo nuk ka punuar asgjë. Këta janë për mua amatorë, njerëz pa përvojë, ata dinë vetëm të thyejnë dhe të premtojnë premtime bosh. Në këtë Qeveri nuk ka pasur asnjë zhvillim dhe asnjë rritje ekonomike, rrogat kanë ngecur, nuk ka pasur rritje, dhe populli është i pakënaqur. Nëse edhe një herë i merr votat kjo qeveri, 20 vjet të garantuara i kemi mbrapa”, thotë ai.

Ndryshime kërkon edhe Ahmet Ahmeti, teksa si shkak i mungesës së unitetit politik nuk nuk sheh zhvillim të vendit.

“Duhet shumë të ndryshojë Qeveria, duke filluar nga ekonomia. Por problemi më i madh është një marrëveshje me Serbinë kurrë nuk ka pasur dhe kurrë nuk do të ketë. Unë nuk pres zhvillime të mëdha në këtë vend, sepse gabimi më i madh është mosuniteti i të gjitha partive në një vend”, u shpreh ai.

E Bajram Kastrati, thotë se ndryshimi duhet të vijë për shkak se e “gjithë bota na ka kthyer shpinën”.

“Unë mendoj që duhet të ketë ndryshime në të gjitha fushat për të lëvizur përpara, sepse ky popull është në krizë, si politike, ekonomike, ashtu edhe financiare. Po shihet qartë që e gjithë bota na ka kthyer shpinën, askush nuk na do. Popullin po e duan, por udhëheqësinë jo. Kushdo që vjen në qeveri, më keq nuk bëhet. Nëse vjen Bedri Hamza, që është njeri më i fortë që ekziston jo vetëm në PDK, por do të bëhej një kthesë shumë pozitive. Tek ai kam një besim shumë të madh”, u shpreh Kastrati.

E pakënaqësi me Ligjin e ri Zgjedhor ka shprehur Asllan Bajrami. Ai konsideron se një votues nuk duhet t’i zgjedh dhjetë kandidatë. Thotë se sistemi zgjedhor është fatkeqësia më e madhe në Kosovë.

“Sistemi zgjedhor është fatkeqësia më e madhe në Kosovë. Kur e bënë ndryshimin e kodit zgjedhor, bënë një gabim edhe më të madh se ai që ishte. I lihet qytetarit të votojë 10 veta; një qytetar duhet të votojë një person. Nuk mundet qytetari të bëjë balancën përmes 10 të përzgjedhurve të tij, sepse nuk e kemi vetëdijen e mjaftueshme, nuk jemi vende nordike. Përderisa në Kosovë nuk ka disa njësi zgjedhore, legjislativi nuk mund të jetë i balancuar. Nuk pres asgjë të re, kastat e tashme përsëri do t’i shohësh me të njëjtën përbërje në legjislaturën e re. Sistemi zgjedhor mund të ndryshojë edhe pa qeveritë, për shembull, shoqëria civile dhe media do të analizojnë këtë sistem zgjedhor që është shumë i mbrapshtë. Sistemi zgjedhor e ka katandisur Kosovën në këtë gjendje; nuk ka një përparim të balancuar në Kuvend dhe ky është problemi”.

Të ngjashme