Në orët e para të mëngjesit një tjetër grua është vrarë nga bashkëshorti i saj për motive xhelozie.
Valdete Manaj, është goditur 6 herë me thikë në zemër nga burri i saj Petrit Manaj. Por si ka ndodhur ngjarja? Burime nga policia për TCH thonë që Petriti pasi ka vrarë nënën e dy fëmijëve ka dalë në lagje për të pirë kafe në lokalin e lagjes në Fier.
Në orën 07:30 kthehet në shtëpi dhe lajmëron vëllain e tij që Valdetja ka vrarë veten me thikë. Forcat policore menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, pasi Petriti është shoqëruar nga uniformat blu ai e ka mohuar krimin, por kanë qenë disa gërvishtje në trupin e tij që kanë nxjerr në pah të vërtetën.
Përveç këtij fakti fjalën e fundit e tha ekspertiza mjeko-ligjore ku ka rezultuar se Valdete Manaj nuk është vetëvrarë, por është masakruar me thikë nga bashkëshorti i saj. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi vetëm disa orë pasi Valdetja përcjellë djalin e saj të vetëm për në Gjermani. Dy fëmijët e viktimës janë nisur nga Gjermania për të përcjellë nënën në banesën e fundit. Ndërkohë që babait, Petrit Manaj i janë vendosur prangat, për ta çuar në burgun ku do të vuaj dënimin për krimin e bërë.
Fqinjët e familjes Manaj thonë se konfliktet mes çiftit nuk janë vënë kurrë re, por familjarët e viktimës thonë se prej 10 vjetësh Valdetja nuk bënte një jetë të qetë.