Shtëpia e Bardhë uli flamurin amerikan në gjysmështizë, më tej e ngriti plotësisht dhe të hënën u detyrua ta ulte sërish pas vdekjes së senatorit John McCain, në një shkelje të pazakontë dhe tepër pështjelluese protokolli pas vdekjes së një udhëheqësi kombëtar.
McCain, një ish-rob lufte në Vietnam, prej një kohe të gjatë senator nga Arizona dhe kandidat presidencial mes republikanëve në vitin 2008, ndërroi jetë nga tumori në tru gjatë së shtunës, në moshën 81-vjeçare. Kjo nxiti shumicën e amerikanëve që të ulnin flamujt në gjysmështizë, një gjest tradicional nderimi.
Por, presidenti Donald Trump, i cili ishte përplasur shpesh me republikanin McCain për çështje të ndryshme, madje gjatë fushatës së tij presidenciale ishte shprehur se senatori “nuk ishte hero lufte”, u lëkund në qasjen e tij ndaj asaj që presidentët normalisht e konsiderojnë si një gjest mirësjelljeje dhe respekti.
Shtëpia e Bardhë nën drejtimin e Trumpit uli flamurin në gjysmështizë të shtunën, por e ngriti plotësisht atë pas periudhës më të shkurtër kohore sipas ligjit. Më tej, Trump vonoi edhe lëshimin e shpalljes së zakonshme që flamujt të mbaheshin në gjysmështizë për më gjatë sesa minimuni dyditor.
Në fund, i vendosur nën presion nga veteranë dhe kongresmenë, Trump tha përmes një deklarate të së hënës se respektonte shërbimin e McCain ndaj kombit dhe urdhëronte uljen e flamujve në gjysmështizë.
Në një letër drejtuar Trumpit, të publikuar në faqen e saj të Facebookut, grupi i veteranëve të Legjionit Amerikan nxiste Shtëpinë e Bardhë “të ndiqte protokollin e përcaktuar prej shumë kohësh tashmë, pas vdekjes së zyrtarëve të shquar qeveritarë”. Legjioni vet e përshkroi McCainin si një “anëtar të dashur”.
Pas plot një dite injorimi të pyetjeve me zë të lartë që i bëheshin mbi McCainin, Trump theu heshtjen gjatë një mbledhjeje të udhëheqësve ungjillorë në Shtëpinë e Bardhë, mbrëmjen e së hënës.
“Zemrat dhe lutjet tona janë për familjen e senatorit John McCain. Ne vlerësojmë së tepërmi gjithçka ka bërë senatori McCain për vendin tonë”, u tha ai udhëheqësve fetarë.
Thuajse përgjatë të gjithë ditës së hënë, konfuzioni mbretëroi anembanë qeverisë federale, teksa flamujt ishin ulur në gjysmështizë mbi Capitol dhe në qindra parqe kombëtare, por qëndronin të ngritura plotësisht mbi Pentagon dhe mbi Gjykatën Supreme amerikane.
Departamenti i Sigurisë së Brendshme kishte lëshuar një njoftim për mbarë qeverinë pas vdekjes së McCainit që të uleshin flamujt amerikan në të gjitha godinat amerikane, por e tërhoqi atë të hënën, duke e lënë vendimmarrjen në duart e stafeve të secilës godinë apo ambient.