Besnik Shala i njohur si “Qorri” i cili u vra mbrëmjen e së martës nga zyrtarët policor në Prizren, kishte një numër të madh të lëndëve në Gjykatën Themelore të këtij qyteti.
Mbi “Qorrin”, i njohur nga organet e rendit si person problematik rëndojnë 25 aktakuza të ngritura nga Prokuroria Themelore në Prizren për vepra të ndryshme kriminale.
Këto aktakuza, të ngritura që nga vitit 2009 e tutje, janë ende në sirtarët e Gjykatës së Prizrenit.
Këtë e kanë konfirmuar për gazetën Objektiv zyra për media e kësaj gjykate duke dhënë detaje se për çfarë vepra ishte i akuzuar i ndjeri.
“Në Gjykatën Themelore të Prizrenit kemi të pranuara gjithsej 25 aktakuza nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për vepra të ndryshme penale si : kanosje, lëndim i lehtë trupor, mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vjedhje e rëndë, vjedhje e rëndë në tentativë, vjedhje e rëndë në bashkëkryerje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Sipas Gjykatës së Prizrenit, disa nga këto lëndë janë zgjidhur, por për disa të tjera, Shala po kërkohej nga Policia për tu sjell me dhunë në Gjykatë.
“Për veprat penale të cekura më lart kemi lëndë të zgjidhura me aktgjykim, por kemi edhe disa lëndë aktive, për të cilat gjykata ka lëshuar disa urdhërarrest për sigurimin e prezencës së tij, pasi që i njëjti për një kohë ka qenë në arrati dhe i pakapshëm për organet e rendit”, thuhet më tej në përgjigjen e gjykatës.
Por, përkundër shumë veprave kriminale “Qorri” kishte mbajtur vetëm 29 muaj burgim efektiv, e disa muaj të tjerë nuk arriti t’i mbaj pasi u vra nga zyrtarët policor teksa po tentonte që me dy mjete shpërthyese dhe një pistoletë t’i sulmonte ata në Prizren.
“Sa i përket ekzekutimit të dënimit: i njëjti për veprat penale të cekura më lart ka mbajtur gjithsej 29 muaj e 10 ditë burgim efektiv, ndërsa për dënimin me 8 muaj burgim efektiv i datës 01.10.2020 i njëjti vendim nuk ka arritur të ekzekutohet”, përfundon përgjigjja e gjykatës.